Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka përkujtuar atdhetarin dhe gazetarin Enver Maloku në 24-vjetorin e vrasjes, duke theksuar se ai ishte një gazetar vetëmohues, një ëndërrimtar i lirisë, një intelektual i pashoq, një adhurues i shkrimit, rokut, e vetë shpirtit kulturor të shoqërisë dhe se ishte një patriot model i orëve më të rënda të Kosovës.
Sipas Abdixhikut, Enver Maloku ishte bartës i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci.
“Në Bregun e Diellit, pranë banesës së tij, ai u qëllua në mbrëmjen e 11 janarit të vitit të lirisë. Rrugëtimi i tij drejt lirisë u ndërpre në gjysmë, por ëndrra e nisur nga ai vazhdon të mbetet udhërrëfim për ne”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ndryshe, të mërkurën e 11 janarit, janë bërë plot 24 vjet nga vrasja e gazetarit dhe anëtarit të LDK-së Enver Maloku, i cili ishte edhe njeri shumë i afërt me ish-presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova.
Enver Maloku ishte udhëheqës i Qendrës për Informim në Kosovë, e cila gjatë viteve të 90-ta shërbente si Agjenci Kombëtare e Lajmeve.
Maloku u vra më 11 janar të vitit 1999, në kohë lufte, teksa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë, nga persona ende të panjohur.