Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores në Mitrovicë ndaj Skender Qerimajt, i dënuar me 24 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Lirije Qerimajt në në Llaushë të Skenderajt.
Në vendimin e Apelit, të cilën e posedon RTV Dukagjini, thuhet se ankesat e Prokurorisë dhe të mbrojtjes së Skender Qerimajt kanë qenë të pabazuara dhe si shkak i kësaj është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë.
“Refuzohen si te pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore – DR në Mitrovicë dhe ankesa e mbrojtësit të akuzuarit Skender Qerimaj, ndërsa, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Mitrovicë, P.127/22 i datës 12.09.2022, vërtetohet” thuhet në këtë aktgjykim 6 faqesh.
Lirije Qerimaj u vra në shtëpinë e saj më 5 janar të vitit të kaluar, disa ditë pasi ajo kishte paraqitur në polici bashkëshortin e saj për dhunë në familje.
Tek pas vrasjes së saj, Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte përfshirë në një aktakuzë të gjitha veprat penale, të kryera më herët nga Skender Qerimaj.
Ai u shpall fajtor për veprat penale vrasje e rëndë, lëndim i lehtë trupor, dhunë në familje e armëmbajtje pa leje, duke u dënuar me 24 vjet burgim.