Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten e 12 janarit, do ta vizitojë Vjenën.
Kryeministri Kurti do të mirëpritet nga kancelari Federal, Karl Nehammer, me nderime ushtarake.
Lajmin për Portalin Dukagjini e kishte bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Po, të enjten, kryeministri do ta vizitojë Austrinë”, ka thënë ai.
E njëjta ishte bërë e ditur edhe nga zyra e kancelarit federal austriak, Karl Nehammer.
Kurti gjatë vizitës në Vjenë, të enjten, do të mbajë edhe një fjalim në Institutin Austriak për Politikë Evropiane dhe të Sigurisë dhe Akademinë Diplomatike të Vjenës.
Pas një takimi të përbashkët pune, është planifikuar një konferencë për media.
Ai do të flasë për “Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian”.
Kjo vizitë e Kurtit në Austri vjen pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në BE dhe zhvillimeve pozitive rreth vendimit pozitiv për liberalizim të vizave nga ana e BE-së.
Kosova dhe Austria kanë bashkëpunim të mirë në shumë fusha.