Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka komentuar votimin pro liberalizmit të vizave për Kosovën në Komitetin e Parlamentit Evropian për Lirinë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme.
Bislimi tha se ky është një hap i rëndësishëm duke treguar hapat e radhës.
Komiteti i PE-së voton pro liberalizmit të vizave për Kosovën
“Edhe një hap tjetër i rëndësishëm u përfundua sot rreth çështjes së liberalizimit të vizave. Në takimin e anëtarëve të Komitetit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian, u votua pozitivisht mbi liberalizimin e vizave për Kosovën. Hapi i rradhës do të jetë votimi në seancën plenare në Parlamentin Evropian dhe mëtej votimi në Këshillin e Ministrave të BE-së, para hyrjes në fuqi”, ka shkruar Bislimi.
Bislimi tha se mirëpret finalizimin e hapave të ardhshëm.
“Përshëndesim votimin pozitiv të sotëm dhe mirëpresim finalizimin e hapave të ardhshëm, deri në përfundimin e procedurave të nevojshme për nisjen e lëvizjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian”.