Chollet: Duhet të ndalet aktiviteti i grupit ushtarak rus “Wagner”

Këshilltari i lartë amerikan, Derek Chollet ka shprehur shqetësimet e tij për prezencën e grupit mercenar rus ‘Wagner’ në Ballkan, duke theksuar se duhet "të ndalet aktiviteti i tyre"

Këshilltari Special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet e ka shprehur shqetësimin e fortë për aktivitetin e grupit të kontraktorëve privatë ushtarakë “Wagner” dhe për përpjekjet që mendohet se po bën ky grup për të rekrutuar ushtarë në Serbi dhe vende të tjera.

Në një konferencë për media në Beograd, Chollet ka thënë se i ka shprehur këto shqetësime gjatë bisedimeve në Beograd të enjten me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Kemi parë se Grupi Wagner po përpiqet të rekrutojë ushtarë nga Serbia dhe gjetiu, dhe kjo është diçka që ne mendojmë se nuk mund të vazhdojë”, ka thënë ai, shkruan Zëri i Amerikës.

“Nuk di nëse ekziston shqetësimi (në Serbi); ne folëm për shqetësimet tona dhe dëshirojmë të punojmë me qeverinë këtu në Beograd dhe vende të tjera ku Wagner është aktiv, për t’i dhënë fund të gjitha aktiviteteve të tyre”, ka vijuar ai.

Ndër të tjera, këshilltari Chollet ka thënë se një krizë e mundshme në Kosovë mund të pengojë bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë.

Chollet u pyet për marrëdhëniet ShBA-Serbi, për të cilat ai tha se janë “të forta dhe strategjike”, por që mund të pengohen, nëse nuk zgjidhen çështjet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Frikësohem se përderisa çështja e Kosovës mbetet e pazgjidhur, në veçanti nëse situata do të sillte në ndonjë krizë, siç po frikësoheshim që po afrohej disa javë më parë, kjo do të pengonte një bashkëpunim më të thellë mes nesh. Nuk duam ta shohim këtë”, ka thënë ai.

Në javët e fundit, në Kosovë ka pasur tensione të vazhdueshme në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ku rrugët drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi u barrikaduan për 20 ditë.

“Duam të dalim nga cikli i krizave në të cilën kemi qenë shumë gjatë. Duam të angazhohemi në dialog dhe mbështesim dialogun (mes Kosovës dhe Serbisë)”, tha Chollet, i cili në dy ditët e fundit ka zhvilluar vizita në Prishtinë dhe Beograd.

Chollet ka përsëritur qëndrimin e tij që e kishte shprehur në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më herët gjatë ditës.

Zyrtari i lartë amerikan tha se duhet angazhim për dialog, të bazuar në propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i njohur ndryshe edhe si propozimi evropian.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika