Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e tij në Akademinë Diplomatike të Vjenës ka diskutuar dhe për fëmijët që u vranë nga Serbia gjatë viteve 1998-99.
“Në Serbi, në lumin Danub, afër fshatit Tekija, një peshkatar vëren një objekt që noton mbi ujë. Është një copë kamioni. Thërret një zhytës dhe në fund të lumit gjejnë një kamion ngrirës të thertores. Ndërsa nxjerrin kamionin nga uji, këmbë të njerëzve fillojnë të bien nga pjesa e pasme e kamionit”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka shtuar se teksa “Hapin dyert dhe brenda gjejnë 86 trupa, dhe tre koka. Mes tyre është edhe trupi i një vajze të vogël vetëm 7-vjeçare”.
“Ndërsa kontrollonin gjërat e saj, ata gjejnë çantën e saj të shkollës. Brenda çantës është një fletore e UNICEF-it, lapsa me ngjyra dhe një kukull e vogël. Në fletore kishte vizatime të shtëpive dhe luleve”, ka shtuar Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka theksuar se vajza 7-vjeçare ishte vrarë në Kosovë dhe ishte futur në kamionin ngrirës të thertores e më pas ishte fundosur në fund të lumit.
“Pasi e gjetën, së bashku me trupat e tjerë e ngarkuan në një kamion tjetër. Sot e kësaj dite nuk e dimë se ku i dërguan ata trupa. Ne nuk e dimë emrin e vajzës, si dukej ajo dhe kush janë prindërit e saj. Ajo është në mesin e 1617 personave të zhdukur me forcë”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri i vendit ka potencuar se gjersa e dinë “se ajo nuk do të kthehet më te shtëpia dhe te lulet që ka pikturuar, nuk do t’i shohim kurrë me të, ne do ta tregojmë gjithmonë historinë e saj dhe nuk do të ndalemi kurrë derisa të dihet fati i saj”.
Ai ka përfunduar duke thënë se do ta kujtojnë “gjithmonë atë dhe 1133 fëmijët që u vranë nga Serbia gjatë viteve 1998-99”.