Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka thënë të shtunën se Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë tanke në Ukrainë, për t’iu ndihmuar forcave ukrainase që t’i “zmbrapsin forcat ruse”.
Sunak e ka bërë këtë zotim duke përmendur tanket Challenger 2 dhe sisteme shtesë të artilerisë.
Sipas tij, kjo është shenjë e “ambicieve të Mbretërisë së Bashkuar për të rritur mbështetjen për Ukrainën”.
Njoftimi për mediat është bërë pas një bisede që ka realizuar Sunak me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ky vendim e bën Mbretërinë e Bashkuar fuqinë e parë perëndimore që e furnizon Ukrainën me tanke luftarake.
Franca ka thënë më 4 janar se do t’i japë Kievit, modelin më të lehtë të tankeve AMX-10 RC.
Ndryshe, lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës, kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL