Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, duke thënë se një kryetar partie duhet të jetë i kujdesshëm kur elaboron propozime që janë në diskutim fillestar.
Ai ka theksuar se deklaratat e kryetarëve të partive mund të shkaktojnë dëme në fazat negociuese.
“Një kryetar partie duhet të jetë i kujdesshëm kur elaboron propozime që janë në diskutim fillestar, sepse me vetëdije do t’i shkaktojë vendit të tij dëm në fazën e ardhshëm të negocimit”, ka shkruar Kryeziu.
Ndryshe, një reagim i tillë i Kryeziut, vjen pasi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se asnjë plan i qeverisë aktuale nuk është marrëveshje finale, teksa ka shtuar se pozicioni i LDK-së është se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë finale dhe duhet të ketë njohjen në të.
“Asnjë plan që s’është marrëveshje finale dhe që nuk e ka njohjen në të, nuk është i mirë për Kosovën. Kaq mund të them, nuk e kam dokumentin në tavolinë, s’kam punuar me atë dokument dhe nuk kam mundur të shoh më gjatë. LDK nuk është pjesë e këtij procesi, por pozicioni i LDK-së është se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë finale dhe duhet të ketë njohjen në të. Çdo çështje tjetër është dëm i pariparueshëm për vendin tonë”, ka thënë Abdixhiku të shtunën në një intervistë për KP.
Abdixhiku: Kosovës nuk i duhet marrëveshje bazë me Serbinë, por finale me njohje