Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar “arritjet” e Qeverisë së tij në sektorin e drejtësisë, duke i renditur edhe miratimet e Projektligjeve në Kuvendin e Kosovës.
Kurti në një postim në rrjetin social Facebook, ka thënë se Qeveria ka qartësuar rrugën për zhvillimin e Vetingut në sistemin e drejtësisë, bartës i së cilit sipas tij, do të jetë Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Miratuam Strategjinë e Sundimit të Ligjit. Miratuam Strategjinë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe Planin e veprimit për vitet 2022-2026”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Po ashtu, ai ka përmendur edhe se Qeveria ka lansuar Protokollin Shtetëror për Trajtimin e rasteve të Dhunimeve Seksuale.
Dhe se Qeveria ka ndryshuar Kodin Penal për dënime plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtor për dhunim seksual dhe dhunë në familje.
“Komisioni i Venecias i ka aprovuar ndryshimet për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, ka shkruar tutje Kurti.
Ndërkaq, kryeministri Kurti ka treguar edhe se është miratuar në Kuvend Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Po ashtu, sipas tij, janë miratuar në lexim të parë Projektligji për Prokurorin e Shtetit dhe ai për Prokurorinë Speciale.
Ndërkaq, ai ka thënë se në lexim të parë është miratuar Projektligji për Themelimin e Institutit për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
Renditjen e të arriturave, Kurti ka përmbyllur me miratimin e Planit të Veprimit për zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë”.