Numri i të vdekurve nga sulmi raketor i Rusisë në qytetin ukrainas Dnipro, është rritur në 20, thanë zyrtarët të dielën, ndërsa Britania, gjatë natës ka thënë se së shpejti do të dërgojë një skuadron të tankeve të saj kryesore të betejës për ta ndihmuar Ukrainën.
Sulmi në bllokun e apartamenteve në qytetin jugqendror të Ukrainës, shkatërroi dhjetëra banesa, duke lënë mes 100 apo 200 njerëz të pastrehë.
Shtatëdhjetë e tre persona u plagosën në spital, duke përfshirë katër në kujdesin intensiv, ka shkruar Valentyn Reznichenko, guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk në Ukrainën qendrore lindore, në orën 7:25 të mëngjesit me orën lokale në Telegram.
Ekipet e shpëtimit u munduan gjatë natës, në kërkim të të mbijetuarve. Punonjësit e urgjencës kanë thënë më herët se kishin dëgjuar njerëz që bërtisnin për ndihmë nga poshtë grumbujve të mbeturinave.
“Operacioni i shpëtimit po vazhdon. Fati i më shumë se 40 personave mbetet i panjohur,” ka thënë Reznichenko, duke shtuar se sulmi kishte shkatërruar 72 apartamente dhe dëmtuar më shumë se 230.
Komanda e lartë ushtarake e Ukrainës tha të dielën se Rusia kreu tri sulme ajrore, 57 sulme me raketa dhe kreu 69 sulme nga sistemet e raketave të armëve të rënda të shtunën. Forcat ukrainase rrëzuan 26 raketa.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Moska në lidhje me sulmet, të cilat përfaqësojnë valën më të madhe të sulmeve të Rusisë në dy javë dhe që erdhën derisa Ukraina po festonte Vitin e Ri tradicional ose Vitin e Ri Ortodoks, raporton Reuters.
Sulmet e së shtunës goditën gjithashtu infrastrukturën kritike në Kiev dhe vende të tjera. Zyrtarët paralajmëruan se kjo do të kufizonte furnizimin me energji elektrike për kryeqytetin dhe pjesë të mëdha të vendit gjatë ditëve të ardhshme.
Derisa luftimet tokësore vazhduan në lindje të Ukrainës, Britania ndoqi Francën dhe Poloninë me premtime për armë të tjera, duke thënë se do të dërgonte 14 nga tanket kryesore të betejës Challenger 2, si dhe mbështetje të tjera të avancuara artilerie në javët e ardhshme.
Dërgimi i parë i tankeve të prodhimit perëndimor në Ukrainë, ka të ngjarë të shihet nga Moska si përshkallëzim i konfliktit. Ambasada ruse në Londër tha se tanket do ta zvarrisnin konfrontimin.
Gjermania tani pritet të jetë nën presion për të ndjekur shembullin, pasi Kievi vazhdon të lutet për pajisje të avancuara ushtarake.
Kujtojmë se, Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, ndërkaq Moska e quan “një operacion ushtarak special”, por që Ukraina dhe aleatët e saj thonë se është një agresion i paprovokuar, i cili që atëherë ka vrarë mijëra, zhvendosur miliona dhe ka kthyer në rrënoja shumë qytete si Dnipro.