Në akademinë përkujtimore për rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut, ishte pjesëmarrës dhe ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili ka thënë se është i lumtur që gjendet në Kosovë.
Walker ka kujtuar 15 janarin e vitit 1999, si një ditë me “mot të tmerrshëm, kishte borë, akull, ishte e vështirë të ngjiteshim në vendin ku ishin trupat që ishin vrarë një natë më parë”.
“Sot, shikoj diellin duke ndriçuar, qiellin e kaltër, kjo simbolizon se gjërat definitivisht kanë ndryshuar, jo vetëm simbolikisht”, ka thënë Walker.
Ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka shtuar se është i lumtur që edhe vitet e fundit, institucionet qendrore të Kosovës po vijnë në homazhe.
Ambasadori Walker ka theksuar se “Jo se ishte masakra e parë apo e fundit në këtë vend, por për një numër arsyesh gjërat u bënë bashkë”.
“Ditën tjetër e gjithë bota e kuptoi për Reçakun. Ishte në ballina të gjithë botës. Në Serbi, Qeveria e Beogradit e z. Milosheviq dhe z. Vuçiq, nisën të bëjnë gjërat që të kujdeseshin që bota të mos dëgjonte për Reçakun apo ta pranonte versionin e tyre. Por, falë Zotit kjo nuk ndodhi. Mediumet botërore erdhën, transmetuan pamjet e asaj që po ndodhte në Kosovë, e si rrjedhojë erdhi intervenimi i NATO-s”, ka thënë tutje Walker.
Ndërkaq për ish-presidenti Hashim Thaçi, Walker tha se ai kishte ardhur para tre vjetësh në Reçak, dhe ia kishte dhënë një lule për të mbajtur në zyrë dhe për ta kujtuar Reçakun.
“Tri vite më parë e mirëprita presidentin Hashim Thaçi, kur erdhi për herë të parë dhe i dhashë një lule për ta mbajtur në zyre, dhe sa herë ta shihte ta kujtojë Reçakun. Më tha se ashtu ka bërë, tani nuk e di se ku është dhe nuk e di nëse e kujton ende Reçakun”, ka potencuar tutje Walker.