Numri i të vdekurve nga një sulm me raketa ruse në një bllok apartamentesh në qytetin ukrainas të Dnipro, ka arritur në 22, të dielën e 15 janarit, një ditë pasi raketat dhe shpërthimet u dëgjuan në të gjithë vendin.
Shërbimi i urgjencës në përditësimin e fundit në këtë të dielë, thuhet se që nga ora 13:00 me orën lokale, “39 persona (përfshirë 6 fëmijë) u shpëtuan në qytetin Dnipro. 22 persona vdiqën (përfshirë 1 fëmijë), 72 persona u plagosën (përfshirë 13 fëmijë), 43 raportime për të humbur personat janë pranuar”.
Ndërsa, kreu i administratës ushtarake rajonale të Dnipropetrovsk, Valentyn Reznichenko, është shprehur në një postim në faqen e tij zyrtare në Telegram, se 72 apartamente janë shkatërruar dhe 230 u dëmtuan si rezultat i sulmit.
Mes tjerash, njoftohet se operacioni i shpëtimit është duke vazhduar me 43 persona ende të pagjetur.
“Ne po luftojmë për çdo person, çdo jetë”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në mediat sociale.
Në fjalimin e tij të natës të shtunën e 14 janarit, Zelensky ka shtuar se “dhjetëra” njerëz, përfshirë një vajzë trevjeçare, u shpëtuan nga ndërtesa, edhe pse shumica e kateve u “shkatërruan”, raporton CNN.