Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, e ka quajtur skandal të radhës rastin e hedhjes së një pacienti nga Klinika Torakale.
Haxhiu ka pyetur se pse ka ndodhur kjo, duke shtuar se shkaqet kanë mbetur ende pa u sqaruar. Ai tha, “keqmenaxhimi dhe degradimi i shëndetësisë është shqetësuese”.
“Skandal pas skandali në shëndetësi! Pasi shkoi për trajtim në QKUK, pacienti hidhet nga dritarja e Klinikës Torakale dhe fatkeqësisht vdes. Pse? Shkaqet ende mbeten pa u sqaruar. Keqmenaxhimi dhe degradimi i shëndetësisë, po ashtu humbja e jetës së njerëzve, në qendrat tona spitalore është shqetësuese. Për këto raste deri tani nuk ka llogaridhënie”, ka shkruar Haxhiu.
Ai kërkoi nga Prokuroria, që të hetojë shkaqet e vdekjes gjatë ditës së diel në QKUK.
“Për rastin e sotëm Prokuroria duhet të hetojë shkaqet e vdekjes së pacientit. Askush nuk e ka besuar këtë degradim deri në këtë masë. Para pak vitesh Klinika Torakale ishte shembull i profesionalizimit dhe mirëmenaxhimit, ndërsa sot është në rubrikën e lajmeve të zeza”, ka shtuar ai.