Më 16 janar të vitit 2018, ishte vrarë para zyreve të tij në veri të Mitrovicës, lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq.
Ai ishte vrarë përmes një atentati me armë zjarri, ku ishte qëlluar me gjashtë plumba nga një veturë në lëvizje.
Menjëherë pas atentatit, Qeveria e Kosovës kishte kërkuar zbardhjen e rastit të vrasjes së Ivanoviqit, por edhe pas pesë vjetësh nuk është dënuar askush.
Në raportet e autopsisë së Oliver Ivanoviqit, ishte bërë e ditur se ai u qëllua për vdekje me gjashtë plumba, nga një revole e tipit “Zastava M70A”, prodhim serb, e njohur si “nëntëshe e gjatë”.
Tre dëshmitarë tashmë janë tërhequr nga dhënia e dëshmisë për këtë rast.
Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, më 19 tetor, ka arrestuar M.M. nga komuniteti serb, nën dyshimin se ai ishte anëtar i një “grupi të organizuar kriminal”, të lidhur me vrasjen e politikanit të opozitës serbe, Oliver Ivanoviq.
Deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza për vrasjen, në të cilat, nuk ka pasur ndryshime të mëdha thelbësore.
Procesi gjyqësor po vazhdon ende
Edhe pse në fillim ishte tentuar nga Serbia që fajin ta hidhet te shqiptarët e Kosovës, deri më tani, asnjë shqiptar nuk ka aktakuzë për këtë rast.
Aktakuza janë ngritur kundër Nedelko Spasojeviqit (oficer policie), Marko Roshiqit (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviqit (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviq), Dragisha Markoviqit (oficer policie), Zharko Jovanoviqit (oficer policie) dhe Rade Basaras (oficer policie).
Ndaj këtyre të fundit nuk është ngritur aktakuzë, pasi ata kanë qenë në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur aktakuzën e parë.
Në aktakuzë përmenden Radoiçiq dhe Vesellinoviq si “udhëheqës të një grupi kriminal”, që ka planifikuar vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.
Më 2019, Kosova ka lëshuar një urdhërarrest për Radoiçiqin nën dyshimin se ka pasur lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.
Mirëpo, ky fletarrest për Radoiçiqin është tërhequr në mars të vitit 2021, pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë, ai është parë disa herë në veri të Kosovës.
Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Me këtë rast, po ashtu, janë të lidhur edhe Zhelko Bojiq (shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (biznesmen).