Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një konferencë të përbashkët me ministren e Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ka thënë se Kosova nuk do të kërkojë rrugica për ta zbatuar një asociacion, i cili shkel kushtetutën e vendit.
“Asociacioni për të cilin palët janë marrë vesh në Bruksel, por për të cilin palët janë marrë vesh që të zbatohet vetëm pasi të ketë kaluar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nuk mund të zbatohet sepse e shkel kushtetutën dhe një Qeveri, një gjë që nuk do të duhej të bënte kurrë, është që të merrte vendime, të cilat shkelin ligjet dhe kushtetutën e vendit”.
Ndërkaq, javën e kaluar, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se pret nga “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet brenda një marrëveshjeje eventuale për normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.