Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kërkesa për lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar për kriminelët e Masakrës së Reçakut, është lajm i mirë për drejtësinë dhe Kosovën, sepse për herë të parë po shihen përpjekjet serioze për trajtimin e krimeve të luftës.
“Ky është një lajm që qytetarët dhe familjarët e të vrarëve e prisnin prej vitesh. Qeverisjet e kaluara sikurse edhe sistemi prokurorial në krye me ish-kryeprokurorin Lumezi nuk kanë pasur as vullnetin e as interesin për trajtimin serioz të këtyre krimeve ndaj popullit tonë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Sipas Haxhiut, është shumë e rëndë që misionet e instaluara në Kosovë, UNMIK e EULEX, sikurse edhe sistemi i drejtësisë, nuk kanë bërë sa duhet në drejtim të hetimit dhe gjykimit të shumë krimineleve të luftës, me qëllim që të sjellin drejtësi për qindra masakra në Kosovë e as për Masakrën e Reçakut.
“Shumë më tepër do të mund të bëhej menjëherë pas luftës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, e në veçanti nga 2018 e këtej. Institucionet tona jo vetëm që janë themeluar nga gjaku i të rënëve dëshmorë edhe martirë, por e kanë obligim themeltar të sjellin drejtësi për secilin krim të kryer nga shteti i Serbisë”, ka vijuar ajo.
Ajo ka pyetur se “a duhet të japin përgjegjësi për gjithë këtë mosveprim? A duhet të japin përgjegjësi KPK që ende, edhe përkundër faktit që kemi shtuar buxhetin që më shumë se 16 muaj, nuk është plotësuar me prokurorë e bashkëpunëtorë, Departamenti për krime lufte në kuadër të PSRK?”
Ndër të tjera, ajo ka thënë se a ka përgjigje sistemi se pse nuk po zbatohen dispozitat për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës, edhe përkundër që i kemi hequr pengesat.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë përkujtimore të organizuar nga Zyra e Kryeministrit, në 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ka bërë të ditur se Prokuroria e Kosovës ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë, të cilët dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e Masakrës së Reçakut.