Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar vdekjen e liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq.
“Sot, ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij”, ka thënë ai.
Kryeminsitri Kurti ka theksuar se “Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komuntetit dhe qytetit të tij”.
“Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre, me të cilët, nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, ka shtuar Kurti.
Tutje, ai ka kërkuar drejtësi për liderin e Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq.
“Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë, duhet të dalin para drejtësisë, dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, ka shtuar tutje kreu i ekzekutivit.
Sipas Kurtit, nevojitet angazhimi i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij.
“Vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë. Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët”, ka potencuar Kurti.
Mes tjerash, Kurti ka deklaruar se “Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike, ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë, të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit”.