Ministri Osmani takon kryetarin e Parlamentit të Ukrainës: Duke sulmuar Ukrainën, Rusia po shkel Kartën e OKB-së

Ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se duke sulmuar Ukrainën, Rusia po shkel Kartën e OKB-së, parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut

Ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Ukrainë, është takuar me kryetarin e Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefançuk.

Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se duke sulmuar Ukrainën, Rusia “po shkel Kartën e OKB-së, parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut”.

“Ky është qëndrimi i Maqedonisë së Veriut, të cilin sigurisht se do ta mbajmë edhe si vend kryesues i OSBE-së. Ne morëm kryesimin e OSBE-së gjatë krizës më të rëndë të sigurisë dhe gjeopolitike që nga Lufta e Dytë Botërore”, shkroi ai.

Megjithatë, ai ka thënë se do t’i përkushtohen gjetjes së zgjidhjeve diplomatike, sado të ndërlikuara të jenë situatat në terren.

Ndryshe, Osmani është takuar edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ai është shprehur i impresionuar me punën që po e bën Zelenskyy, për ta mbrojtur popullin e tij nga agresioni rus.

“Impresionuese sakrifica dhe angazhimi i presidentit Zelensky për mbrojtjen e popullit ukrainas dhe guximi i tij në ballafaqimin me sfidat dhe pasojat e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës. I bëj thirrje Rusisë që menjëherë t’i japë fund agresionit”, ka shkruar Osmani.

Tutje, Osmani ka shtuar se OSBE “mbështet popullin ukrainas dhe do të vazhdojë nga afër ta vëzhgojë gjendjen”.

Ministri Osmani është takuar edhe me ministrin e jashtëm të Ukrainës, Dmitro Kuleba, në kuadër të vizitës së tij në Kiev.

Kështu ka bërë të ditur vetë Osmani, përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se agresioni ushtarak rus “është i pajustifikuar, i gabuar dhe krejtësisht në kundërshtim me parimet dhe angazhimet e përbashkëta të OSBE-së”.

“Takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba, sot si kryetar i OSBE-së. Paqja duhet të rivendoset. I bëj thirrje Federatës Ruse që të respektojë parimet dhe detyrimet e miratuara nga OSBE. Është e vetmja rrugë përpara, e vetmja rrugë drejt paqes”, ka shkruar ai.

Sipas tij, OSBE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje me të gjitha kapacitetet e saj, por më e rëndësishmja siç thotë Osmani, është që fillimisht të kthehet misioni në Ukrainë.

Ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, ka shkuar në Kiev të Ukrainës, në kuadër të kryesimit të OSBE-së.

Osmani është shprehur i prekur pas vizitës së qytetit Borodjanka në rajonin e Kievit.

Ai ka thënë se duhet veprim urgjent për ndaljen e “kësaj çmendurie”.

“Sot vizitova qytetin Borodjanka në rajonin e Kievit, i prekur rëndë nga veprimet ushtarake. Shkretimi i qytetit nga agresioni ushtarak kundër Ukrainës, më tronditi thellë. Duhet veprim urgjent për t’i dhënë fund kësaj çmendurie dhe të ofrohet ndihmë për ata që kanë nevojë”, shkroi Osmani.

Sipas tij, shkatërrimi i infrastrukturës jetike dhe vuajtja e popullit ukrainas duhet të ndalen patjetër.

“Vuajtja duhet të ndalet dhe pastaj t’i rindërtojmë këto zona të shkatërruara”, shtoi ai.

Osmani ka thënë se “gjendja në Ukrainë, me fokus të veçantë njerëzit në terren, një nga prioritetet e OSBE-së për vitin 2023”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika