Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë, ende nuk dihet zyrtarisht, ndërsa Qeveria e Kosovës pati deklaruar se vlera monetare e koeficientit pritet të caktohet gjatë muajit janar.
Kjo vlerë do të përcaktohet bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave. Ndërkohë, ekspertët thonë se ky ligj mund të shfuqizohet përsëri, pasi cenohet siguria juridike e nëpunësve civilë.
Edhe pse Ligji për Paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës, vlera e koeficientit për pagat e zyrtarëve publikë ende nuk dihet. Ndërsa, qeveria ka bërë të ditur se kjo vlerë do të caktohet gjatë muajit janar të këtij viti. Por, ekspertët thonë se Ligji i miratuar i pagave, cenon sigurinë juridike të nëpunësve të sektorit publik, duke mos përcaktuar vlerën monetare të koeficienteve, shkruan RTK.
Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se në këtë rast, askush nuk ka informacion se sa do ta ketë pagën.
“Përcaktimi i dispozitës ligjore se vlera monetare e koeficientit do të përcaktohet në secilin vit përmes Ligjit për ndarjen buxhetore, qartazi e prek sigurinë juridike për secilin person. Kjo në secilin rast nuk do të dihet për vitin pasues, se cila do të jetë paga dhe cila vlera monetare e koeficientit. Kjo ka qenë edhe njëra nga arsyet që ligji i kaluar për paga ishte shpallur kundër kushtetues nga Gjykata Kushtetuese”, thotë Shala.
IKD ka kërkuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, që, sipas kompetencave të tij, kushtetuese dhe ligjore, ta procedojë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik për vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese.
Shala tha se nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se vetëm dispozita të caktuara janë në kundërshtim me Kushtetutën, ka mundësi që vetëm ato dispozita t’i shfuqizojë, ndërsa pjesën tjetër të ligjit ta lërë në fuqi. Nëse vlerëson se tërësia e ligjit është në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë mund ta shfuqizojë tërësisht ligjin.
Ndërkohë, eksperti Safet Gërxhaliu theksoi se nuk i bën nder Kosovës që përsëri ky ligj të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, derisa theksoi se koeficienti duhet të përcaktohet urgjentisht.
“Duhet që me urgjencë koeficienti të jetë i ditur, me të vetmin qëllim që të punësuarit të kenë satisfaksion, opozita të matet ta dërgojë në kushtetuese apo jo. E ndoshta një ligj i tillë dhe një koeficient i ditur, do të jetë indikator i përshpejtimit edhe të ligjeve të tjera që kanë të bëjnë me aspektin social në Kosovë në një kohë të krizës edhe ekonomike e sociale, në një kohë të inflacionit, prandaj çdo vonesë është humbje për Kosovën dhe goditje për qytetarët e saj”, thotë Gërxhaliu
Përfaqësues të Sindikatave në Kosovë kanë shprehur shqetësimin që ende nuk është përcaktuar koeficienti për pagat e zyrtarëve publikë.
Sipas Ligjit për Buxhetin e vitit 2023, i cili u miratua në dhjetor të vitit 2022, totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro. Ligji për Pagat në Sektorin Publik është miratuar më 22 dhjetor 2022. Ndërsa, pas dekretimit nga presidentja, ky ligj është publikuar në gazetën zyrtare.
Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.