Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar tre “viganët” e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvallen dhe Kadri Zekën, me rastin e 41-vjetorit të vrasjes së tyre.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se ata janë ideatorë të lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi që bashkuan dhe prinë shqiptarët drejt çlirimit.
“17 janari i lidh tre viganët e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvallen dhe Kadri Zekën, me Gjergj Kastriotin, në të njëjtën nyje – flijimin për atdhe. Sot përkujtojmë dy ngjarje në dy periudha të ndryshme, me personazhe që kanë pasur një qëllim, mbrojtjen e Shqipërisë”, ka shkruar ai.
“Po ashtu, sot kujtojmë heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, që ranë po më 17 janar, 41 vjet më parë. Ideatorë të lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi që bashkuan dhe prinë shqiptarët drejt çlirimit, deri në frymën e tyre të fundit”, shtoi Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka theksuar se vëllezërit Gërvalla bashkë me Zekën kanë të njëjtën nyjë me heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeun.
“Zemra e themeltarit të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pushoi së rrahuri më 17 janar 1468. Gjenerali që është frymëzim për secilin shqiptar e trashëgimia e së cilit frymëzoi përpjekjet tona për liri përgjatë shekujve. Ata ranë, por lanë trashëgim te mijëra të tjerë, planet e lirisë. Ata ishin arkitektët e saj”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, më 17 janar të vitit 1982 u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Atentati mbi vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë.
Atentati ka ndodhur përderisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit.
Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar, pasi nga një vendndërtim në anë të djathtë, një person ka shtënë nga një distancë prej tre metrave.
Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe iu ka afruar asaj, për të vërtetuar se a ia kanë arritur qëllimit.
Vetura ka mbetur e ndezur, pasi Bardhoshit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset në një garazh.
Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.
Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në ato vite.