Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, ka bërë të ditur se ka biseduar me të për dialogun Kosovë-Serbi dhe për kërkesën për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Megjithatë, për ne çështja kyçe mbetet formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pasi Kosova ka marrë dhe ka pranuar obligimet në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe siguria e popullit serb në Kosovë për të cilën presim mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar”, ka deklaruar Vuçiq, raporton Novosti.
“Theksova se Serbia si gjithmonë mbetet sinqerisht e përkushtuar për ruajtjen e paqes në rajon, e dëshmuar nga iniciativat e shumta të ndërlidhjes rajonale të drejtuara nga vendi ynë”, ka vijuar Vuçiq.
Ndryshe, emisari britanik ka filluar të martën vizitën e tij në Serbi.
Kjo vizitë e tij në Beograd vjen pas vizitës 12 ditore të tij në Kosovë.
Ndërkaq, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet që më 20 janar ta vizitojë Kosovën, e më pas edhe Serbinë.