“Boris Pistorius është emëruar ministër i ri i Mbrojtjes në Gjermani”.
Kështu ka njoftuar Qeveria gjermane, raporton REL.
Ai është anëtar i Socialdemokratëve të kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe ka shërbyer si ministër i Brendshëm i landit të Saksonisë së Poshtme prej vitit 2013.
Atij do t’i duhet ta finalizojë projektin për modernizim të ushtrisë së Gjermanisë dhe të mbikëqyrë ndihmën e zgjeruar të armëve në Ukrainë, e cila po lufton pushtimin rus.
Pistoriusit do t’i duhet të thellohet menjëherë në punën e re.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloud Austin, pritet ta vizitojë Berlinin këtë javë, dhe më pas, ta vizitojë edhe bazën ushtarake amerikane në perëndim të Gjermanisë.
Emërimi i tij vjen pas dorëheqjes së Christine Lambrecht nga kjo pozitë një ditë më parë.
Ky vendim i saj vjen pasi mediat gjermane kanë raportuar të premten se shefja e Mbrojtjes synon të japë dorëheqje pas mesazhit për Vitin e Ri, të cilin e ka postuar në rrjetet sociale.
Në të, Lambrecht e ka përmendur luftën në Ukrainë, nën tingujt e fishekzjarrëve në prapavijë.
Anëtarët e partisë opozitare Unioni Demokristian (CDU) kanë bërë thirrje për dorëheqjen e saj.
Në deklaratën e dorëheqjes, Lambrecht ka përmendur “muaj të fokusit medial” mbi të, dhe se diçka e tillë ka ndërhyrë në debatin faktik për ushtrinë dhe politikat e Gjermanisë për sigurinë.