Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të martën e 17 janarit, ka bërë të ditur se nga dita e sotme, identifikimet dhe nënshkrimet elektronike janë valide dhe të rregulluara në bazë të rregulloreve nga Direktiva Evropiane.
“Nga tani identifikimet dhe nënshkrimet elektronike janë valide dhe te rregulluara me rregullore te veçanta të transpozuara nga Direktiva Evropiane”, ka shkruar Rizvalloni në llogarinë e saj në Facebook.
Ndërkaq ka shpjeguar se bizneset, qytetarët dhe institucionet do të mundë të nënshkruajnë dokumentet pa pasur nevojë për takime fizike.
“Bizneset, institucionet e qytetarët do ta kenë mundësinë që t’i përshpejtojnë procedurat e nënshkrimit të dokumenteve pa pasur nevojë për takime fizike”, ka shtuar Rizvanolli, duke theksuar se një gjë të tillë të interesuarit mund ta bëjnë përmes telefonit, tabletit apo kompjuterit pavarësisht vendndodhjes.
“Kjo thjesht mund të bëhet nga telefoni, tableti apo kompjuteri ku do që ndodheni”, ka përfunduar Rizvanolli.
Bashkëngjitur mund të gjeni edhe Ligjin dhe Rregulloren për identifikim elektronik.