Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në sferat e ndryshme të vendit janë shnëdrruar në një barrë të rëndë për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.
Gjersa e ka quajtur “të dëmshëm e zullumqar”, Haradinaj ka thënë se edhe çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka ardhur si pasojë e pozicionimit të gabuar të vetë kryeministrit Kurti.
“Kryeministri është bërë i dëmshëm e zullumqar! Pasojat e pozicionimit të papërgjegjshëm të kryeministrit të Kosovës në raport me pothuaj të gjitha temat që kanë të bëjnë me vendin, po vijnë! Vendimet e tij në sferën e ekonomisë, të sigurisë, të arsimit, të dialogut, të marrëdhënieve me partnerët strategjikë, tashmë janë bërë barrë e rëndë për vendin e për popullin. Në këtë rrafsh duhet parë edhe vendimin e fundit të Gjykatës së Drejtësisë të BE për përjashtimin e Kosovës nga Organizata e Rregullatorëve Evropianë të Telekomunikacionit. Pasojë e pozicionimit të tij të gabueshëm është edhe rikthimi me urgjencë i temës së Asociacionit dhe avantazhi i Serbisë në procesin e dialogut”, ka deklaruar Haradinaj.
Mirëpo, kritikat nga Haradinaj nuk mbarojnë me kaq. Ai thotë se Kurti i ka shfrytëzuar paratë e taksapaguesve për udhëtime jashtë vendit, gjersa buxhetin e mban të mbyllur.
“Ai me para të taksapaguesve shkon në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, gjoja për të folur për investimet e huaja në Kosovë, madje organizon edhe një Samit të Investitorëve në Cyrih, ndërsa paratë e buxhetit i ka mbyllur në bunker dhe ekonominë e ka llom. Kjo më e pakta është hipokrizi. Ai jo vetëm që parat e buxhetit nuk i kthen te qytetari, por atyre iu ka pamundësuar që në këtë kohë të rëndë ekonomike e sociale, ta marrin një pjesë nga paratë e kursyera të Trustit, që janë të tyre. Kryeministri është shndërruar në zullumqar”, ka deklaruar Haradinaj.