Dhomat e Specializuara të Hagës kanë bërë të ditur se të mërkurën e 18 janarit, do të mbahet konferenca përgatitore për gjykimin në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
“Siç ishte paralajmëruar gjatë konferencës së fundit për ecurinë e çështjes, Trupi Gjykues II ka caktuar konferencën përgatitore për gjykimin në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, më 18 janar në ora 09:30”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Aty do të diskutohet lidhur me gatishmërinë e palëve që gjykimi të fillojë më 1 mars 2023, kohëzgjatjen e fjalës hyrëse të tyre dhe çështje të tjera procedurale e substanciale.
Në këtë njoftim thuhet se gjatë seancës, ndër të tjera, paneli do të kërkojë sqarime nga palët lidhur me procedurën nëse ZPS ka përfunduar me nxjerrjen e provave dhe listën e dëshmitarëve të cilët do t’i paraqesë në gjyq.
Ndërsa, sa i përket pjesës substanciale, do të diskutohet për pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar, natyrën dhe kohëzgjatjen e një konflikti të armatosur dhe pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar të një sulmi të përhapur ose sistematik në dritën e gjetjeve në rastet e TPNJ-së Limaj dhe Haradinaj.
Tutje, në njoftim thuhet se do të diskutohet edhe për pretendimin e përgjegjësisë komanduese, pastaj për domosdoshmërinë e provave për pretendimet lidhur me krimet serbe të kryera gjatë asaj kohe, pikëpamjet e palëve nëse të burgosurit e asaj kohe që ishin anëtarë të forcave të armatosura bien në kategorinë e përshkruar nga ZPS si “popullsia civile e kundërshtarëve” dhe faktorët që paneli duhet të marrë parasysh në vlerësimin nëse kjo e fundit ishte me natyrë kryesisht civile.
Gjithashtu, paneli do të kërkojë sqarime nga avokati i Veselit lidhur me komentet e bëra gjatë Konferencës së Statusit, më 8 shtator 2022, në lidhje me kohën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të Rregullës 153 dhe Rregullës 154 të SPO-së dhe sqarime nga avokati i Thaçit, lidhur me ekzistencën e pretenduar të “Operacioni Patkoi”.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku ata ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo, pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte, dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.