Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dëshiron të nxisë konflikt në Kosovë.
Në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”, kreu i Qeverisë kosovare ka thënë se marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda pak muajsh nëse “ekziston vullnet nga të dyja palët për të arritur një marrëveshje finale me njohje reciproke në qendër”.
Por, sipas Kurtit, për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e Millosheviqit dhe nga Putini, pasi siç është shprehur ai, Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë.
“Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por, për një marrëveshje duhen dy palë. Për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet dy herë: nga e kaluara e Millosheviqit dhe tani nga Putini. Sepse Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putin dëshiron të nxisë konfliktin me Kosovën”, ka deklaruar Kurti.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se Putini është i fiksuar pas Kosovës, pasi e pengojnë sukseset e këtij vendi.
“Unë jam i kujdesshëm, por nuk kam frikë kurrë. Unë jam vigjilent. Putini është i fiksuar pas vendit tonë. Ai ishte i kënaqur për mungesën e suksesit të ndërhyrjeve perëndimore në Irak dhe Afganistan. Atë e zemëron dhe e nervozon fakti që kanë pasur sukses në Kosovë”, ka vijuar Kurti.
Ndërsa, i pyetur për kërkesën për shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovë, shefi i ekzekutivit ka thënë se për këtë kërkesë i takon NATO-s të vendosë.
“Unë mendoj se fakti që ne kemi një fqinj më të madh që nuk na njeh dhe që po bashkëpunon gjithnjë e më shumë me Rusinë, duhet ta inkurajojë NATO-n ta rrisë praninë e saj. Kjo zvogëlon gjasat e konflikteve të ardhshme”.
Ai ka folur edhe për tensionet në veri të Kosovës, gjatë fundvitit të kaluar, e po ashtu tërheqjen e serbëve në veri nga institucionet e Kosovës.
“Situata është për momentin e qetë, policia jonë është prezente. Dhe së fundi u kam bërë një thirrje publike gjithë serbëve në Kosovë që të aplikojnë për punë në shërbimet publike, si shembull në polici. Kjo, pasi që zyrtarët serbë dhanë dorëheqje mes tensioneve në veri. Nuk është qëllimi im të zëvendësojë serbët me shqiptarë! Dua serbët në ato pozita”.
Kurti gjendet në Davos të Zvicrës, i cili ka udhëtuar të hënën për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.
I pyetur se çfarë synon Kosova me pjesëmarrjen e saj në këtë forum, ai ka thënë se ka të bëjë kryesisht me tërheqjen e investitorëve të rinj në vend.
“Ekonomia jonë po rritet, kemi rini të talentuar, mosha mesatare e popullsisë është vetëm 31 vjet. Kjo na bën shumë tërheqës për investitorët”, ka theksuar Kurti.
Ndërkaq, sa i përket kërkesës së partisë më të madhe në Zvicër, SVP, për të tërhequr trupat zvicerane nga Kosova, Kurti ka thënë se shpreson që Zvicra të mos e bëjë këtë.
“I jemi shumë mirënjohës Zvicrës për kontributin që po jep Swisscoy në Kosovë. Ne nuk do të dëshironim që ajo të tërheqë ushtarët e saj nga Kosova. Tani nuk është koha e duhur për këtë. Serbia ka ndërtuar 48 baza ushtarake në kufirin tonë. Ne kemi nevojë për mbështetjen e Zvicrës dhe mezi pres që Zvicra ta zgjasë mandatin e saj deri në vitin 2026”.