Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Kjo për shkak se, sipas Tahirit, ministrja Hajdari nuk e ka deklaruar pasurinë teksa ka renditur një sërë “skandalesh” të bëra, siç thotë Tahiri, nga ministrja e këtij dikasteri.
Kështu ka thënë ai gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Kosovës, derisa ka shtuar se për PDK-në është e papranueshme që ministrja Hajdari të vazhdojë të qëndrojë në krye të kësaj Ministrie.
“Sa i përket shqyrtimit të këtij projektligji, mjaft i rëndësishëm që prezentohet nga një ministre që tashmë është e dënuar për fshehje të pasurisë ose fshehje të pasurisë. Rrjedhimisht një politikë të tillë e bën mjaft të cenueshme prezentimi i saj nga një ministre që tashmë ka vendim të gjyqësorit që nuk e ka deklaruar pasurinë. Për ne është e papranueshme që të vazhdojë të qëndrojë në sallë, që të vazhdojë ta ushtrojë funskionin e ministres një person që e fsheh pasurinë”, ka thënë ai.
Sipas Tahirit, ajo është ministrja e parë në Kosovë që e mban Qeveria Kurti, e cila është në detyrë, dhe nuk e ka deklaruar pasurinë.
“Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Këtë standard po e vendos Qeveria Kurti. Nëse e shohim edhe punën dhe angazhimin e saj kemi me dhjetëra skandale nga kjo ministre. Po iu kujtoj skandalin e promovimit të Kosovës si vend ku kanë lindur manastiret ortodokse serbe, skandalin e kësaj ministre, e cila blen rezerva të grurit nga kompani ndërtimore të Turqisë. Është po kjo ministre e cila në kohën e saj kur është edhe kompetencë e saj, Serbia shënon rekord të eksportimit të mallrave në vendin tonë”, shtoi ai.
“A nuk janë të mjaftueshme të gjitha këto skandale të kësaj ministre, të cilat e bëjnë të padenjë të vazhdojë ta bëjë punën e ministres? Është e papranueshme sepse është fyerje për të gjithë ne, për Republikën e Kosovës dhe ky është një standard që po e vendosni. Ju kërkoj të gjithëve që të bëni presion që kjo ministre të shkarkohet sepse është ofendim për të gjithë qytetarët”, tha ai.
Tahiri, po ashtu, thotë se sa i përket efikasitetit të këtij kuvendi, mazhorancës, më së miri i flet ky sesion dite.
“Kemi me dhjetëra pika të papërmbyllura në kuadër të kësaj agjende legjislative, si një pasojë e një mosfunksionimi të duhur të kësaj mazhorance të drejtuar nga LVV”.