Stuart Peach: Pres nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përfundimtare

I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, ka theksuar se u takon liderëve të dy shteteve fqinje që të dakordohen për formatin dhe përmbajtjen e saktë të marrëveshjes në kuadër të procesit të dialogut

Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach

I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, ka thënë se pret një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka theksuar se u takon liderëve të dy shteteve fqinje që të dakordohen për formatin dhe përmbajtjen e saktë të marrëveshjes në kuadër të procesit të dialogut.

Kështu është shprehur ai gjatë vizitës së tij në Beograd, të mërkurën e 18 janarit, shkruan Danas.

Peach theksoi se më e rëndësishmja është që kjo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për qytetarët e të dyja shteteve, dhe të sjellë përfitim afatgjatë në rajon.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, ka bërë të ditur se ka biseduar me të për dialogun Kosovë-Serbi dhe për kërkesën për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Megjithatë, për ne çështja kyçe mbetet formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pasi Kosova ka marrë dhe ka pranuar obligimet në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe siguria e popullit serb në Kosovë për të cilën presim mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar”, ka deklaruar Vuçiq, raporton Novosti.

“Theksova se Serbia si gjithmonë mbetet sinqerisht e përkushtuar për ruajtjen e paqes në rajon, e dëshmuar nga iniciativat e shumta të ndërlidhjes rajonale të drejtuara nga vendi ynë”, ka vijuar Vuçiq.

Ndryshe, emisari britanik ka filluar të martën vizitën e tij në Serbi.

Kjo vizitë e tij në Beograd vjen pas vizitës 12 ditore të tij në Kosovë.

Ndërkaq, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet që më 20 janar ta vizitojë Kosovën, e më pas edhe Serbinë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika