Ushtria e Tajvanit ka publikuar të martën planet për t’i lejuar gratë vullnetare të bëhen pjesë në trajnimin e forcave rezervë për herë të parë, pasi Kina vazhdon ta rrisë presionin ushtarak në ishullin e vetëqeverisur demokratik.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit ka thënë se do të lejojë 220 ushtarë femra të liruara të regjistrohen në trajnim, duke filluar nga tremujori i dytë i këtij viti.
Gjeneralmajori Yu Wen-cheng, nga Agjencia e Mobilizimit Mbrojtës Gjithëpërfshirëse e Ministrisë, ka deklaruar se masa do të ishte në një bazë prove për këtë vit.
Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit ka thënë më parë se ka trajnuar vetëm rezervistë meshkuj, sepse nuk kishte kapacitet të mjaftueshëm për t’i akomoduar të dy gjinitë.
Ligjvënësit tajvanezë kishin thënë se përjashtimi i grave nga trajnimi rezervë përbën diskriminim gjinor.
Në dhjetor, Tajvani ka njoftuar se do të zgjasë periudhën e rekrutimit të detyrueshëm ushtarak për të gjithë burrat e kualifikuar nga katër muaj në një vit, duke filluar nga viti 2024 dhe kërkesa do të zbatohet për burrat e lindur pas 2005.
Tajvani ka një forcë ushtarake prej rreth 170 mijë personeli, të përbërë kryesisht nga vullnetarë, ndërsa gjithashtu trajnon rreth 120 mijë rezervistë çdo vit, raporton CNN.
Meshkujt nga mosha 18 deri në 36 vjeç ose duhet të dalin vullnetarë për të shërbyer në ushtri ose të kryejnë një periudhë shërbimi të detyrueshëm në rezervë.
Pasi të shkarkohen, burrat i nënshtrohen tërheqjes së trajnimit në katër raste gjatë tetë viteve.
Që nga viti 2021, gratë përbënin 15 për qind të ushtrisë së Tajvanit, por shërbejnë kryesisht në role jo luftarake.