Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka kritikuar qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu ka pyetur se me çka nuk është i kënaqur deputeti Hoti.
“Me pjesëmarrjen e Kryeministrit Kurtin në Davos, në mesin e shumë liderëve botërorë, me organizimin e konferencës për investitorë të huaj, me ftesën që po bën për investime të huaja në vend, me takimin me kryeministren e Finlandës, vend anëtar ky i BE-së, e cila së fundmi ka aplikuar në NATO, synim ky edhe i joni?” ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai ka pyetur se mos nuk është i kënaqur Hoti me kërkesën për më shumë siguri për Kosovën përmes më shumë trupave të NATO-s në Kosovë, pasi sipas tij, siguria e shtuar për Kosovën është siguri edhe për investitorët, “me shpërfaqjen e Serbisë para opinionit ndërkombëtar, lidhjeve të saj me Rusinë dhe qëllimeve të përbashkëta për destabilizim të Rajonit dhe me faktin që Albin Kurti është kryeministër i Kosovës?” ka shtuar Kryeziu.
Ndryshe, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Lidhur me këtë, deputeti Hoti ka thënë se thirrjet e Kurtit për investitorë dhe paralajmërimet për konflikt “nuk shkojnë bashkë”.
“Shkon në Davos dhe e organizon një minikonferencë për investime, për të cilën e paguan një kompani konsulente 58 milionë e 341 mijë e 19 franga zvicerane, pa asnjë procedurë prokurimi. Por, në dhomën tjetër, kërkon nja 70 trupa më shumë të KFOR-it nga Finlanda, edhe pse KFOR-i e rrit dhe e zvogëlon numrin e ushtarëve brenda natës sipas nevojës që ka”, ka shkruar Hoti në Facebook.
“Çfarë mesazhe janë këto dhe çfarë promovimi i investimeve është ky?! Kush po e këshillon kështu?! Kah na shpie kjo qasje në fushën e politikës dhe të ekonomisë?”, ka shtuar ai.
Hoti kritikon Kurtin: Thirrja për investitorë dhe paralajmërime për konflikt nuk shkojnë bashkë