Pesë përfaqësues ndëkrombëtar pritet të vijnë në Prishtinë për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të premten e 20 janarit. Lidhur me këto takime zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë të ditur se aty do të diskutohet për normalizimin e dialogut Kosovë- Serbi.
E rreth kësaj çështje në studion e emisionit Five të RTV Dukagjinit, i ftuar ka qenë juristi Bardhyl Hasanpapaj i cili ka thënë se vizitat që pritet të ndodhin të premten në Kosovë tregojnë se ka dinamizim të fazës së dialogut dhe rritje të vëmendjes ndërkombëtare karshi këtij procesi.
“Është edhe presion në vetvete por edhe dinamizim i ri i fazës së dialogut i cili shihet se tashmë ka marrë një vëmendje pak më të shtuar të bashkësisë ndërkombëtare dhe shtimi i numrit të përfaqësuesve që do të vijnë në delegacion me përfaqësues të shteteve të reja tregon në një formë edhe një mesazh të ri për të bindur lidershipin kosovar që qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare janë unike, ka një harmonizim edhe në nivel të bashkimit evropian të shteteve anëtare kryesore të BE-së së bashku me SHBA-të në propozimin dhe dinamizimin e procesit të dialogut Kosovë- Serbi. Prezenca e tyre tregon seriozitetin e shtimit të kësaj dinamike por që sigurisht është edhe një presion në vetvete për akterët jo vetëm për Kosovën por për dy palët e përfshira në këtë proces ”, ka deklaruar Hasanpapaj.
Ndërsa, ka theksuar se pritjet janë që këto takime dhe ky presion rreth dialogut të shtohet, pasi sipas Hasanpapaj vëmendja ndërkombëtare për dialogun Kosovë-Serbi është gjë e mirë për Kosovën.
“ Ne besojmë që do të shohim edhe më shumë vizita të tilla, presion të shtuar dhe presim se sa më shumë vëmendje ndëkrombëtare të ketë në këtë çështje aq më mirë do të jetë për ne”, ka vijuar ai.
Ndër të tjera, ai ka folur edhe për vizitën e këshilltarit italian i cili pritet të jetë gjithashtu në takim me Kurtin të premten e 20 janarit. Lidhur me këtë sipas Hasanpapaj ka thënë se vizita e këshilltarit italian në Kosovë nuk pritet të sjellë diçka të re ose diçka më shumë, por është gjë që mund të krijojë më shumë besim te palët e përfshira.
“Nuk është se do të sjellë diçka të re ose më shumë, kjo është më shumë si një mesazh që është mirë e koordinuar në nivel të akterëve kryesor të shteteve të BE-së. Italia është një shtet mik i Kosovës, një shtet i rëndësishëm në Bashkimin Evropian, vizita sigurisht tregon një garanci për palët, tregon se çështja ka garanci ndërkombëtare dhe rrjedhimisht mund të ndihmojë në krijimin e besimit mes palëve. Pra, shtimi i emisarëve tregon harmoni dhe një lloj unifikimi të akterëve kryesor ndërkombëtar që në vetvete sigurisht që ndikon në krijimin e besimit të palëve të përfshira, pra nuk shihet si diçka e padobishme por sigurisht që do të ketë efektin e saj. Nuk sjellë diçka të re në vet procesin”, ka thënë ai.
Hasanpapaj: Ka shenja nga qeveria për asociacionin, Bashkësia ndërkombëtare po e bën çdo ditë e më të qartë qëndrimin e saj
Tutje, ai ka folur lidhur me çështjen e asociacionit që sipas tij qeveria aktuale ka disa shenja të reja për asociacionin dhe bashkësia ndërkombëtare po e qartëson çdo ditë qëndrimin e saj se asociacioni duhet të zbatohet dhe modalitetet për këtë asociacion duhet të zhvillohen paralelisht.
“Qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare është që marrëveshja për asociacionin ekziston dhe ata e vendosin theksin në zbatimin e kësaj marrëveshje. Sado që Kosova insiston që këtë ta shtyjë si pjesë e procesi me një marrëveshje të re bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të qartë që kur flitet për asociacionin është një marrëveshje ekzistuese e cila duhet të implementohet. Sa më shumë që Kosova të vonohet në ofrimin e propozimeve për të kornizuar këtë në kuadër të sistemit tonë të brendshëm juridik dhe që të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Por, Kosova e konsideron si një konsesion shtesë, nuk e konsideron tpaktën kjo qeveri si obligim ndërkombëtar të marrur në procesin e dialogut të mëhershëm. Por, e kosnideron si një koncesion të ri që mund ta kapërdijë në proces të marrëveshjes përfundimtare përkatësisht në proces të finalizimit të planit franko-gjerman. Kam frikë se këto dyja bashkësia ndërkombëtare tashmë veçse i ka bo të qarta. Ka disa shenja nga qeveria për këtë, nuk mund të rrijë më dot duar kryq, nuk ka rëndësi vetëm me pas të drejtë, ka rëndësi se sa këtë të drejtë po ta njohin dhe po ta pranojnë të tjerët. Bashkësia Ndërkombëtare po e bën çdo ditë e më të qartë se asociacioni duhet të zbatohet dhe modalitetet për këtë asociacion duhet të zhvillohen paralelisht”, ka thënë ai në emisionin Five, duke shtuar se është ekzagjeruar më shumë se që duhet çështja e asociacionit.
“E shoh si të mundur këtë çështjen e asociacionin, por kam përshtypjen se ne e kemi ekzagjeruar pakëz në politikën tonë të brendshme dhe po na kthehen në boomerang në procesion e dialogut. Duhet të gjindet guximi që asociacioni të themelohet sa më shpejtë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk ka shmangje nga kjo, çdo vonesë është në dëm tonin”, ka vijuar ai.
I pyetur nëse Kurti e ndërron tashmë qëndrimin e tij që kishte thënë se asociacionin nuk e bën dhe e krijon atë, ai u shpreh se qeveria e kupton seriozitetin e kësaj çështjeje dhe sipas tij qeveria ka informacione të mjaftueshme në dispozicion të marra nga kontaktet shumë apo dy palëshe diplomatike.
“Kjo ka të bëjë me karrierën politike të një politikani dhe roli i tij në qeveri. Unë nuk kam një dëshirë të madhe të flasë sepse në fund të fundit unë si jurist dhe vëzhdues kam interes se si sillet Kosova përmes përfaqësuesve institucional dhe si sillet kryeministri ndaj detyrimeve ndërkombëtare. Qeveria po teston kapacitetet e saj negociuese në këto procese, nuk mund të them që nuk është serioze, ka një strategji të caktuar. Unë besojë që Qeveria ka informacionin e mjaftueshëm në dispozicion në kontaktet e saj diplomatike dhe e kupton seriozitetin e kësaj çështjeje”, ka deklaruar ai.
Për propozimin franko-gjerman ka thënë se më e mira do të ishte që të arrihet një marrëveshje e cila ka njohjen në qendër sepse kjo ‘është më e dëshirueshmja’.
“Më e mira do të ishte një marrëveshje përfundimtare që i zgjidh të gjitha çështjet kryesore me Serbinë dhe një marrëveshje e cila do të interpretohej në fund nga të dyja palët njëjtë. Në kuadër të kësaj njohja do të ishte pjesa më e dëshirueshme”, ka thënë ai duke shtuar se sjellja e Serbisë nuk mund të garantohet.
“Nuk mund të garantojmë sjellën e Serbisë pas kësaj marrëveshje dhe nuk presim mrekullina nëse një marrëveshje e tillë bëhet. Nuk është që shihet një marrëveshje përfundimtare, me njohjen përfundimtare, prandaj ka fillu të rritet kjo çështje. Një marrëveshje e tillë me njohje është në dobi të Kosovës dhe varet pastaj çfarë do të përitojmë nga kjo. Është ambicione për të thënë se për dy tre muaj do të arrihet një marrëveshje e tillë ”, ka përfunduar ai.