Deputeti në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Kujtim Shala, në emisionin Debat Plus kur është pyetur se a ka plan apo iniciativë LDK-ja për rrëzimin e qeverisë Kurti ka refuzuar të ofrojë një përgjigje direkte, megjithatë ka theksuar se dëshira e tij është që qeveria e kryeministrit Kurti mos të vazhdojë të qeverisë asnjë ditë më shumë.
Por që sipas Shalës një qeverisje e tillë do të vazhdojë pasi ka shumicën që e përkrah.
“Unë do të doja qe kjo qeveri të mos vazhdonte asnjë ditë më shumë por ky e ka shumicën dhe ky kryeministër dhe kjo qeveri pavarësisht se si e përshkruajë unë dhe çfarë mendimi kam është legjitime, është vullnet politik po e humbi shumicën rrëzohet, po e pati mbahet”, ka deklaruar Shala.
Ndërsa, ka shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk do të jetë asnjëherë në formatin e opozitës që Kurti ka qenë dikur.
“Ne nuk e mendojmë asnjëherë opozitën si një organizim politik që e cënon shumicën. Nëse e mendoni LDK-në në formatin e opozitës që bënte Kurti dikur e keni shumë gabim sepse ajo nuk do të ndodhë asnjëherë”, ka vijuar Shala.