Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën në orët e vona, ka arrestuar një person të moshës 50-vjeçare, pasi dyshohet se ai i ka penguar zyrtarët policorë derisa po kërkonin një tjetër person të dyshuar.
“Mbrëmë, rreth orës 23:10 në fshatin Sojevë të Ferizajt, derisa policët e stacionit ishin në kryerje të detyrës zyrtare në kërkim të një personi të dyshuar, janë penguar, janë ofenduar dhe kanosur nga personi tjetër F.Y (M/K) i moshës 50-vjeçar.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje, Policia njofton se nga sjelljet e tij është detyruar ta arrestojë dhe ta shoqërojë personin në stacionin e policisë në Ferizaj.
“Policët të detyruar nga sjelljet e tij, janë detyruar të arrestojnë dhe ta shoqërojnë në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pasi është testuar me alkooltest ka rezultuar se ishte nën ndikimin e alkoolit, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme. Rasti është cilësuar ‘Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare’’’, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës.