Reshjet e shiut gjatë ditës së enjte të 19 janarit, kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të territorit të Kosovës. Ndër vendet më të rrezikuara rezulton të jetë komuna e Skenderajt. Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura, pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet, ka vendosur të shpallë gjendje të jashtëzakonshme dhe ka ndërprerë mësimin për ditën e premte të 20 janarit, në gjithë territorin e komunës së Skenderajt.
“Gjendja është jashtëzakonisht e vështirësuar, pothuajse të gjithë lumenjtë kanë dalë nga shtrati. Gjendja është jashtëzakonisht e rëndë për momentin”, ka deklaruar Nura.
“Sapo është marrë vendim të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, njëkohësisht kam pezulluar nesër mësimin në gjithë territorin e komunës së Skenderajt. Gjendja është jashtëzakonisht alarmante, reshjet janë shumë të mëdha dhe ende pritet që të vazhdojë gjendja e rëndë”, ka thënë ai, duke vazhduar se një gjendje e tillë është shpallur pasi ka bllokim të rrugëve, ndërkohë që vërshimet vazhdojnë.
“Është shpallur gjendje e jashtëzakonshme sepse ka bllokim të rrugëve, qarkullimit, ka vërshime të jashtëzakonshme. Deri më tash është rast i rëndë”, ka deklaruar Nura.
Ndërsa, ai ka shtuar se komuna po përpiqet të menaxhojë situatën, madje edhe po evakuon disa familje që kanë kërkuar ndihmë, një prej të cilave, është nga fshati Llaushë i Skenderajt.
“Me kapacitetin që kemi po përpiqemi t’u dalim në ndihmë, ka familje që jemi duke i evakuuar. Në Llaushë është një familje që po përpiqemi ta evakuojmë, ka edhe disa fshatra të tjera që ekipet po punojnë me disa prej tyre”, ka deklaruar Nura.
Përveç komunës së Skenderajt, edhe në Mitrovicë gjendja është e rënduar, pasi raportohet se liqeni artificial ka dalë nga shtrati duke shkaktuar bllokim të rrugëve.
Nga Mitrovica në emisionin “Magazina” të Radio Dukagjinit, ka folur Bahtir Maxhuni, drejtor i emergjencave në këtë komunë, i cili ka thënë se nuk ka rrugë të bllokuar, përveçqë vështirësia ngelet te dalja nga shtrati e liqenit artificial.
“Për momentin rrugë të bllokuara nuk kemi, ka rrugë që mund të jenë të përmbytura nga reshjet e shiut, si pikë të nxehta kemi shtratin e lumit Ibër e liqeni artificial ka dalë nga shtrati. Po ashtu, pikë e nxehtë është edhe në pjesën e Sahadollit si dhe në Kostovë. Jemi në terren me zjarrfikësit dhe njësitet e tjera”, ka deklaruar ai në Radio Dakagjini.
Ndërkaq, Maxhuni ka bërë të ditur se për shkak të daljes nga shtrati të lumit Lushtaj, disa familje kanë kërkuar evakuimin.
“Disa familje kanë kërkuar që të evakuohen për shkak të lumit Lushtaj, i cili ka filluar të dalë nga shtrati dhe ju ka hyrë brenda në podrum dhe në brendi të shtëpisë”, ka thënë Maxhuni.
Krahas komunës së Skenderajt e të Mitrovicës, për vërshime është raportuar të ketë edhe në qytetin e Pejës.
Nga kjo komunë ka folur zëdhënësi i komunës së Pejës, Faik Zekaj, i cili ka thënë se nuk ka rrugë të bllokuara, por vetëm rrugë vështirë të kalueshme.
“Gjendja e keqe është qetësuar dhe me mundësi është kontrolluar. Rrugë të bllokuara nuk ka, ka vetëm rrugë vështirë të kalueshme. Një ndër problemet është te rrethi te shkolla ekonomike, është një kanal i bllokuar i ujit, aty është më problem sesa pjesët e tjera”, ka deklaruar Zekaj.