Shumë banorë të Skenderajt patën nevojë për evakuim gjatë ditës së enjte.
Reshjet e pandërprera të shiut, kanë bërë që shumë rrugë në këtë komunë të bëhen të pakalueshme, për çka tashmë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Disa objekte janë dëmtuar, ndërsa është ndërprerë edhe energjia elektrike.
Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura në rrjetin social Facebook, ka thënë se gjendja në këtë komunë është e rënduar dhe se të gjithë mekanizmat komunalë janë në terren.
“Si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë. Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet. Që nga orët e mëngjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontrollë, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut. Në disa fshatra gjendja është jo e mirë, ndërkohë që ekipet dhe shërbimet komunale me makinerinë e punës po i trajtojnë me kujdes telashet e shkaktuara”, ka thënë Nura.
Gjendje e pothuajse e njëjtë është edhe në komunën e Mitrovicës e atë të Podujevës. Dalja nga shtrati e liqenit artificial në Mitrovicë, ka bërë që edhe disa shtëpi të vërshohen nga uji në Lagjen e Boshnjakëve, për çka edhe është shpallur gjendje emergjente, nga kryetari i komunës.
E sipas kryetarit të Podujevës, gjendja në këtë komunë është e menaxhueshme por që mund të përkeqësohet, për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut.
“Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë bërë që disa zona në Komunën e Podujevës të përballen me vërshime. Si institucione lokale që nga mëngjesi jemi në teren duke intervenuar në zonat më të prekura, ku momentalisht kemi 4 ekipe të të cilat janë duke intervenuar në këto zona. Zonat më të prekura janë; Pakashticë, Kërpimeh, Letanc, Peran dhe Obrançë, po ashtu edhe disa rrugë janë përshkuar nga uji duke vështirësuar qarkullimin në komunikacion. Situata është e menaxhueshme, por me tendencë të përkeqësimit për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut. Apeloj tek të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me ekipet emergjente institucionale, në mënyrë që përmes koordinimit të përbashkët të tejkalohet sa më shpejtë kjo situatë”, ka thënë Bulliqi.
Ndërkohë në Istog, 12 familje kanë mbetur të bllokuara në fshatin Drejë.
Sipas drejtorit të Emergjencave në këtë komunë, ata janë në pritje të ekipeve të FSK-së, për të bërë evakuimin e familjeve.
“Është i bllokuar prej orës 12:00, na kanë mbetur të bllokuara 12 familje brenda në katund, dy hyrje te katundit janë blloku, jemi mundur me zjarrfikës por nuk kemi pasur mundësi të depërtojmë. Tash FSK ka ardhur këtu dhe po mendojmë përmes FSK-së më i tërhek”, ka thënë drejtori i Emergjencave në Komunën e Istogut, Xhevat Demaj.
“Po e shihni edhe vet çfarë situate jemi, vërshime ka të mëdha, më ka hy uji në shtëpi krejt, gjysmë metri, po e shihni edhe vet çfarë gjendje. Vetëm shoqen e kam brenda por tani del edhe ajo, asaj po i dhimbset çka ka ndodh brenda por po i them çka me bë kjo është prej Zotit”, ka thënë Sinan Jetishi, banor.
Rëndim të situatës, edhe për orët e ditët në vazhdim ka paralajmëruar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, derisa kanë treguar se situata më e rënduar është në komunën e Pejës, Junikut, Deçanit, Klinës, Skenderajt, Mitrovicës, Zubin Potokut e Leposaviçit.
“Si pasojë e reshjeve të shiut të cilat janë duke vazhduar me intenzitet të lartë sidomos në disa pjesë të vendit, (pjesa perëndimore, veroperendimore, veriore dhe qendrore e Kosovës), disa lumenjë kanë dalur prej shtertërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje. Zonat më të prekura, janë ato në perendim të vendit, sidomos disa vendbanime në komunat si: Pejë, Junik, Deçani, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë, Yubin Potok, Leposaviç etj. Situata e tillë e krijuar ka shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore. Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e tyre.