“Destabilizimi – qëllimi i sulmit ndaj zyrtarëve policorë”

Destabilizimi në veriun e Kosovës, konsiderohet të jenë qëllimet e sulmit ndaj zyrtarëve të policisë

Foto nga vendi i ngjarjes

Rrrënimi i rendit kushtetues dhe destabilizimi në veriun e Kosovës, nga ekspertët e sigurisë po konsiderohen të jenë qëllimet e sulmit ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë për RTV Dukagjinin, se Serbia gjithmonë e ka përdorur Kosovën si “karrem” ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare.

Sipas tij, mënyra e kryerjes së këtyre sulmeve tregon se gjithçka është e organizuar mirë.

“Kjo tregon se ata janë të interesuar që ta destabilizojnë lirinë në Kosovë, pra janë për rrënimin e rendit kushtetues në veriun e Kosovës”, është shprehur ai.

Siç theksoi Islami, Serbia dhe Rusia si “dy aleate motra”, janë të interesuara që ta destabilizojnë veriun e Kosovës, për shkak se vendet evropiane janë përqendruar në luftën që po zhvillohet në Ukrainë.

Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë

“Këto do të hynin në punë që të shpërqendrohet vëmendja e Bashkësisë Ndërkombëtare nga Ukraina dhe të ngrihet një tension e që Kosova të jetë vatër e saj”, shtoi Islami.

Por, s’do të arrihet.

Kështu beson Islami ngase sipas tij, Kosova nuk mund të krahasohet me Ukrainën sepse ndryshe nga ky vend, në Kosovë ka pjesëtarë të Aleancës Verialtantike siç është KFOR-i.

“Vetë prezenca e KFOR-it e cila është derivat i Aleancës Veriatlantike dhe duke e parë vetëmohimin e strukturave të sigurisë së Kosovës që po bëjnë të pamundurën në mënyrë që veriu i Kosovës dhe në përgjithësi situata në vend të jetë stabile nuk do t’ia arrijnë qoftë strukturat paralele të Serbisë të cilat janë aktive dhe të sensibilizuara nga Beogradi”.

Siç thekson Islami, strukturat e krimit të organizuar dhe ato ilegale janë në bashkërendim dhe bashkëveprim deri në ndërmarrjen e aksioneve me bekimin e qeverisë serbe.

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, për sulmet ndaj Policisë së Kosovës, ka thënë se nuk janë shqetësuese sepse sipas tij, ato mund të menaxhohen lehtë nga organet kompetente.

Për Ibishin është i domosdoshëm reagimi dhe veprimi i shpejtë në terren në mënyrë që të parandalohen sulmet e tjera.

Ibishi: Tentimi për arrestimin e Radojiçiqit preku interesin politik të Listës Serbe (Video) - Telegrafi
Nuredin Ibishi – njohës i çështjeve të sigurisë

“Nuk janë shqetësusese këto sulme, për arsye se mund të menaxhohen me një kujdes të shtuar të cilët janë operacionale dhe një kërkim bashkëpunimi edhe në prezencën ndërkombëtare të sigurisë duke e mbuluar pjesën e terrenit rreth akteve por që të kërkohet edhe mbështetja e qytetarëve dhe bashkëpunimi në mes strukturave politike”, ka thënë ai.

Teksa ka komentuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës, Ibishi thotë se tensionimit të situatës në komunat veriore i ka kontribuuar edhe bllokimi i rrugëve ilegale, që me vite janë shfrytëzuar për kontrabandë nga grupet kriminale.

Historiku i sulmit

Të martën e 26 prillit, në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar me armë zjarri një njësi patrulluese kufitare e saj në Zupçe të Zubin Potokut.

Pos dëmeve materiale në automjet, nuk ka raportime për zyrtarë policorë të lënduar.

Kështu kishte bërë të ditur për RTV Dukagjini, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka thënë se nga sulmi me armë zjarri drejt njësitit kufitar nuk ka të lënduar.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cilat kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri. Përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, kishte njoftuar Kelani.

Vetura e Policisë së Kosovës e sulmuar nga armë zjarr

Ndërkaq, sulmin ndaj Policisë së Kosovës e ka dënuar Lista Serbe, partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë.

“Ky incident ka për qëllim destabilizimin e situatës, por edhe tentim për t’i paraqitur serbët si banditë, gjë që nuk është e vërtetë”, thuhej në komunikatën e Listës Serbe.

Lidhur me këtë sulm ka reaguar edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviq.

Sipas tij, “rritja e tensioneve në terren, sidomos në veri, nuk ka të bëjë me serbët”.

Ndërkohë, më 15 prill të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte bërë të ditur për të parën herë se Policia e Kosovës ishte cak i disa sulmeve në veri.

Sipas tyre, sulmi i parë ndaj pjesëtarëve të policisë kishte ndodhur më 13 prill, derisa për një javë janë regjistruar gjithsej, pesë sulme.

Megjithatë, sulmi i 26 prillit është i gjashti me radhë në dy javët e fundit.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla bashkë më Drejtorin e Policisë Samedin Mehmeti, kishin bërë të ditur se në mëngjesin e së premtes dy vetura të policisë të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare në veri, ishin sulmuar me armë automatike dhe granatë dore.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla

Ky sulm sipas Sveçlës, ishte terrorist, i orkestruar dhe që kishte për shënjestër lëndimin e policëve.

Sveçla, theksonte se këto sulme vijnë si pasojë e luftës ndaj krimit, korrupsionit dhe kontrabandës që po e luftojnë bashkë me Policinë e Kosovës.

Ai thoshte se sulmi dyshohet të ketë ardhur nga territori i Serbisë.

Edhe kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit, i kishte quajtur terroriste dhe se për qëllim kishin vrasjen.

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti

Ai kishte potencuar se nuk do të ketë tolerancë nga Qeveria e Kosovës ndaj strukturave ilegale të Serbisë.

“Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar, kurrë nuk do të ketë as një gramë tolerancë nga Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme e as policia”, ishte shprehur Kurti.

Bastisja në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë

Në po të njëjtën ditë, të martën e 26 prillit, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se gjatë këtij operacioni policor është kryer bastisje, por nuk ka të arrestuar.

“Nuk raportohet për të arrestuar, përderisa dy personave iu është lënë ftesë për paraqitje në Policinë e Kosovës, mbi dyshimin e bazuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale”, ka thënë Kelani në një deklaratë për RTV Dukagjinin.

Ndryshe, gjatë ditës, katër autoblinda të Njësisë Speciale të Policisë janë vendosur edhe në pikën kufitare në Bërnjak, në mënyrë që të vendoset rendi dhe siguria në atë pjesë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika