Të hënën e 23 janarit është thirrur protestë në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, për shkak të deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për politikanin serb Oliver Ivanoviq, të cilin Kurti e përshkruajti si njeri të përkushtuar.
Protesta është thirrur nga një grup në rrjetin social Facebook, që thuhet të jetë nga fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në njoftim thuhet se protesta është organizuar për shkak të indinjimit me veprimet e Kurtit, që sipas thirrësve ai ka tentuar të amnistojë një kriminel lufte.
“Të indinjuar thellë me veprimet e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, dhe tenitmin e tij për të amnistuar kriminelin e luftës, ideatorin dhe kryesin e vrasjeve të shqiptarëve civilë, Oliver Ivanoviqit. Fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thërrasin për protestë, me moton:“Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë!”, thuhet në njoftim.
Protesta pritet të mbahet të hënën në orën 12:00 dhe sipas organizatorëve ka për qëllim ndërgjegjësimin për vlerën e historisë dhe të ardhmës së vendit.
“Në këtë protestë ftohen të marrin pjesë të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim, të cilët mendojnë se heshtja ndaj veprimeve destruktive dhe të rrezikshme është po ashtu një bashkëngjitje në faj”, theksohet në njoftim.