Për shkak të reshjeve të mëdha që kanë sjellë vërshime në disa komuna, është pamundësuar mbajtja e procesit mësimor në disa shkolla.
Për këtë ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka njoftuar se të premten e 20 janarit, zyrtarët e MAShTI-it, kanë qëndruar në disa shkolla për të parë nga afër gjendjen e krijuar për shkak të reshjeve, si dhe dëmet e shkaktuara në objekte shkollore.
“Si Ministri jemi duke e përcjellë me kujdes të veçantë situatën dhe në kontakt të vazhdueshën me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente si dhe drejtorët e DKA-ve ndërsa do të ju informojmë me kohë për ditën e hënë”, ka thënë Nagavci.
Nagavci ka shtuar se bazuar në të dhënat e MASHTI-it, komunat të cilat nuk kanë mbajtur mësim këtë të premte janë: Podujevë, Viti, Mitrovicë, Skenderaj, Pejë, Istog, Klinë, dhe Zubin Potok.
Po ashtu Minstrja Nagavci ka theksuar se komunat të cilat kanë raportuar që nuk kanë dëme dhe mësimi është mbajtur në të gjitha shkollat janë: Prishtinë, Fushë Kosovë, Drenas, Ferizaj, Shtime, Lipjan, Hani i Elezit, Kaçanik, Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Gjilan, Kamenicë, Novobërdë, Vushtrri, Deçan, Prizren, Suharekë, Junik, Dragash, Mamushë, Leposaviq, Zveçan.