Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh deputet i PDK-së, e ka quajtur demagog kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për qëndrimet rreth dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas tij, Kurti nuk ka qëndrim të qartë as për planin franko-gjerman.
Në një intervistë për EO, Hoxhaj ka thënë se Kurti ka bërë përpjekje që t’i ikë dialogut duke u marrë me çështje teknike.
Duke e konsideruar si të vështirë anëtarësimin e Kosovës në OKB, Hoxhaj shprehet i bindur se integrimi i Kosovës në NATO është i mundur.
Ndër të tjera, ish-kryediplomati kosovar ka adresuar kritika edhe për njohjen e ndërsjellët me Serbinë, duke shtuar se Kurti s’po merret seriozisht me këtë çështje.
“Mendoj se këto deklarimet demagogjike të kryeministrit Kurti, i cili është një demagog i madh, i cili pretendonte se ju sa keni qenë në pushtet, ka pasur qëndrime të Administratës amerikane që të ketë njohje të ndërsjellë, por tash njohja ka ardhur në qendër, e tash duke lëvizur në qendër i ka humbur dokumenti krejt dhe nuk po shihet askund. Unë mendoj që përtej asaj që kemi dallime të brendshme pozitë e opozitë, zotëri Kurti do të duhej ta shihte shumë serioz planin franko-gjerman, dhe të luftojë me planin diplomatik e me çdo kusht që njohja e ndërsjellët të jetë e dokumentit që nënshkruhet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB të jetë kërkesë e jona”, ka thënë Hoxhaj.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO është i mundur sipas Hoxhajt. Ai ka thënë se partnerët ndërkombëtarë duhet të bëjnë më shumë presion ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën.
“Por edhe partnerët tanë duhet të jenë seriozë me Kosovën. Nëse ata nuk mund të bëjnë presion të mjaftueshëm që Serbia ta njohë Kosovën, mendoj që partnerët tanë duke qenë shtete anëtare të NATO-s e të OKB-së, mund t’i ofrojnë Kosovës një rrugë të shpejtë dhe të përshpejtuar të anëtarësimit të saj në NATO”, ka vijuar Hoxhaj.
Ndërsa, për vendimin për targa dhe për zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Hoxhaj u shpreh se Kurti ka rënë në grackën e Serbisë.
Ai konsideron se ky vendim është dashur të mënjanohet nga institucionet vendase.
“Çfarë ka ndodhur vitin e kaluar dhe unë i kam thënë kryeministrit Kurti disa herë është që ai (Kurti) ka rënë në grackën e Serbisë. Kur partnerët tanë kanë kërkuar që të shtyhet vendimi për targa, ata kanë kërkuar që të mënjanohet situata e 5 nëntorit, e cila ka krijuar një vakum të plotë institucional në veri të vendit. Asnjëherë nuk ka qenë pikë më e ulët e pranisë shtetërore në këtë pjesë të Kosovës, të dorëzimi të sovranitetit të Kosovës, sikurse që e ka bërë Albin Kurti me gabimet gjatë vitit të kaluar”, u shpreh ai.
Deputeti i PDK-së ka pasur gjithashtu kritika edhe për mbarëvajtjen e dialogut me Serbinë.
Ai ka shtuar se kryeministri Kurti duhet të insistojë që në planin franko-gjerman të jetë njohja e ndërsjellët.
“Ka bërë përpjekje që t’i ikë dialogut dhe nuk dëshironte të merrej me marrëveshjen finale dhe bënte përpjekje që të merrej me tema të veçanta, me targat e temat e tjera teknike. Për atë qëndrimi ynë gjatë vitit 2022 ka qenë që ai të mos merrej me marrëveshje të veçanta e që janë teknike, por të përqendrohet te marrëveshja e madhe e njohjes së ndërsjellë, dhe plani franko-gjerman ka qenë mundësi e mirë, pa e lënduar integritetin territorial të Kosovës në veri të vendit në mënyrë sesi është lënduar dhe shkelur fuqishëm në nëntor të vitit të kaluar, dhe tash do të shihet se sa do të jetë në gjendje që ai ta rikthejë situatën e 4 nëntorit të 2022-ës me zgjedhjet të cilat duhet të mbahen në prill të këtij viti”, ka përfunduar Hoxhaj.