Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në përvjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova ka kujtuar atë për përkushtimin politik dhe përpjekjet e tij për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Në përvjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, kujtojmë përkushtimin e tij politik që la gjurmë në historinë e vendit tonë, në kuadër të përpjekjeve sublime për liri dhe pavarësi”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
Ndërsa, ka theksuar se mbetet e vlerësuar vepra intelektuale, politike e institucionale e Rugovës, që sipas Krasniqit shërben si dëshmi e një historie unike e politike në Evropë dhe botë.
“Vepra intelektuale, politike dhe institucionale e Dr. Ibrahim Rugovës, mbetet e vlerësuar, e çmuar dhe shtetësisë së Kosovës i shërben si dëshmi e një historie unike politike në Evropë dhe botë”, ka vijuar Krasniqi.
Ndryshe, të shtunën e 21 janarit shënohet 17-vjetori i vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova.