Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani me rastin e 17-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, kanë bërë homazhe te varri i tij, të shtunën e 21 janarit.
Në përkujtimin e ish-presidentit Rugova, Kurti është shprehur se “e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës civile”, njofton Zyra e Kryeministrisë.
“Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe këtu në Prishtinë te varri i presidentit Ibrahim Rugova”, thuhet në deklaratën për media të kryeministrit Kurti.
Tutje në këtë deklaratë thuhet se “21 janari është ditë e ftohtë dhe është një ditë në të cilën teksa e përkujtojmë presidentin Ibrahim Rugova, e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës civile”.