Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka akuzuar partinë në pushtet dhe liderin e saj gjatë një fjalimi në Akademinë përkujtimore për figurën e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
Haziri tha se sërish u munduan ta godasin figurën e ish-presidentit Rugova edhe për së vdekuri, duke e hequr Akademinë përkujtimore për Rugovën nga kalendari i “Flakës së Janarit”.
Ai gjithashtu kritikoi edhe kryetarin Gjilanit, Alban Hysenin, cili është nga radhët e VV-së.
“Ky pushtet aktual i Gjilanit, ani pse pa kryetar, që po udhëhiqet nga zëvendësministra e këshilltarë nga jashtë, punën e parë që bëri është heqjen Akademisë përkujtimore për presidentit Rugova nga kalendari i “Flakës së Janarit”. Sërish u munduan ta godasin figurën e Presidentit edhe për së vdekuri. Këtë e bënë me porosi ani pse shkuan e u jargitën, duke e thyer kurrizin para varrit të tij në Prishtinë. Por, e mira e madhe në këtë demokraci e këtë liri është që familja e tij, besimtarët e tij, njerëzit, paqësorët e rugovistët e tij do ta nderojnë përjetësisht figurën e Presidentit”, ka thënë Haziri.
Haziri tha se “Kosova e pavarur dhe e hapur ka qenë kompromis i madh i shqiptarëve në Ballkan, e dizajnuar përmes një administrimi ndërkombëtar në formë të përkohshme dhe me prezencë të përhershme të NATO-s, ka qenë opsion i Ibrahim Rugovës dhe i askujt tjetër”.