Përballja në takim me pesë emisarët duket se ia zbuti qëndrimet presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Kjo, pasi draftin fillestar të planit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, Vuçiq e konsideroi të papranueshëm, ndërsa një muaj pasi i është dorëzuar drafti i dyte, ai të premten tregoi vullnet për ta pranuar këtë plan.
Si arsyetim për ndryshim të qëndrimit, Vuçiq përdori sanksionet e mundshme nga perëndimi.
Por, njohësi i çështjeve politike, Visar Ymeri thotë se kjo s’ka të bëjë me sanksionet, por pikën dy të planit evropian.
“Po besoj që kjo është ajo pika e shumë përfolur pra pika II që konsiderohet të jetë neni II I propozimit i cili flet për integritetin territorial, njohjes së dyanshme të drejtës për vetëvendosje e kështu me radhë. Kjo ka qenë një nga vërejtjet që i ka pasur Serbia për planin, po siç duket që nga dita e djeshme Presidenti serb po e pranon diskutimin e këtij plani”, ka thënë Ymeri.
Ndërsa është Profesori universitar, Milazim Krasniqi ai i cili po supozon që Vuçiqit i është garantuar nga ndërkombëtarët themelimi i Asociacionit, prandaj edhe është tërhequr nga qëndrimi i mëparshëm.
“Siç duket kjo ka qenë e lidhur me mundësi të sanksioneve, izolimit ndërkombëtar e në anën tjetër ka mundësi që është e lidhur edhe me procesin në Kosovë sepse i kanë premtu që do të behet bashkësia e Komunave me shumicë serbe”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, Vuçiq momentalisht është i favorizuar nga ndërkombëtarët.
“Prej tash Vuçiq llogaritet si palë e moderuar që kooperon dhe kjo do të thotë që ai momentalisht ai e ka njëfarë favori në procesin ndaj Kosovës”, ka shtuar Krasniqi.
Në përpjekje për të dinamizuar dialogun Kosovë-Serbi, pesë emisarë ndërkombëtarë vizituan të premten dy shtetet.