Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKK), Besnik Tahiri, ka thënë se përmbytjet e ditëve të fundit si pasojë e vërshimeve, kanë rënduar situatën në komunën e Skenderajt dhe në disa komuna të tjera.
Ai ka theksuar se këto komuna kanë nevojë për dorën e shtetit dhe shërbimin e shpejtë e emergjent.
“Në Skenderaj situata është e rëndë, në fakt është e jashtëzakonshme. Përmbytjet në këtë qytet si dhe në komunat tjera e kanë për nevojë dorën e shtetit dhe shërbimin e ndihmën e shpejtë dhe emergjente”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Por, sipas Tahirit, një gjë të tillë nuk po e bën Qeveria nën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk kam dilema se bashkëqytetarë nga e gjithë Kosova do ta ndihmojnë Skenderajn, familja ime do ta bëjë. Mirëpo, dëmi është i madh e reagimi i shtetit është i vogël. Qeveri Vepro”, ka përfunduar Tahiri në llogarinë e tij.
Një thirrje të tillë e kanë adresuar edhe nga PDK, ditën e shtunë. Ka qenë kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ai që ka kërkuar që Qeveria të mblidhet dhe të vendosë për ndarjen e fondeve, në mënyrë që t’i ndihmojë komunat në dëmet nga vërshimet.