Shtëpia e Hetem Alilit është një prej pronave të dëmtuara nga vërshimet në lagjen 2 korriku në Mitrovicë.
Afërsia e kësaj lagje me lumin Sitnica ka bërë që shumë shtëpi të përfshihen nga uji.
“Niveli i ujit po shihet edhe vetë qe u kon deri këtu, këta e ka mbulu, por ka desht Zoti që brenda nuk u hi”, ka thënë qytetari Hetem Alili.
Alili tregon se edhe në të kaluarën janë përballur me problematikën e njëjtë.
“Nuk është veç hera e parë, por është që 40 vjet jemi qeshtu, prit prej kryetarit, prit prej tjetrit, prej tjetrit, s’ka, premtime ka sa të duash por veprime jo. Nuk po më duhet heja e pija, as spo me duhet ato që na sjellin me hanger e me pi se ato të mbajnë një javë ditë e kjo është për jetë”, shtoi Alili.
Vërshimet, dëme të shumta shkaktuan edhe në lagjen Ilirida.
Kati i parë i shtëpisë së Familjes Hyseni, pothuajse në tërësi u mbulua nga uji.
“Krejt sendet si po doket i ka prish fije m’fije, me kauqa, me këto ça janë kanë frizat me siguri iu ka hi shumë uji, nuk guxon njeriu as me i lëshu më as kurrgjë. Vështirë është, fati im që i kam pasur do dru edhe një shporet që e kam lart, po e ndezi për me përgatit najsen me hanger, kurrgjë tjetër, as s’kam mundur me livrit me dal tri ditë hiç nga këtu”, ka thënë qytetari Fejzullah Hyseni.
Oborret e disa shtëpive në këtë lagje vazhdojnë të jenë të mbushura me ujë.
Në ndihmë banorëve këtu u doli një biznes, i cili me eskavator evakuoi disa prej tyre.
“Me makinerinë tonë personale jemi mundu me i dalë në ndihmë këtyre banorëve në rrethinë këtu për gjëra ushqimore, për me i tërheqë fëmijët prej shtëpive sepse ka pasur shtëpi që kati i parë ka qenë komplet ujë”, ka thënë Xhavit Pllana, qytetar.
Dëme nga vërshimet pësuan edhe shtëpitë në afërsi të liqenit akumulues, hapësirë të cilës iu janë rikthyer vizitorët gjatë së dielës.
Kontribut për pastrimin hapësirave këtu, por edhe në pjesë të tjera të Mitrovicës dhanë punëtorët e kompanisë regjionale “Uniteti”.
“Kemi punuar jashtë orarit, kemi punuar me të gjitha kapacitetet, fillimisht pardje kemi punuar në Mitrovicë edhe me kapacitete të njësisë operative në Vushtrri, kemi shku në Skenderaj me të gjitha kapacitetet e kompanisë sepse ka qenë një gjendje kaotike në Skenderaj, sheshi ka qenë komplet i mbuluar me baltë”, ka thënë Gazmend Morina, kryeshef i kompanisë “Uniteti”.
E komuna e Mitrovicës ka strehuar në hotelet e qytetit disa prej qytetarëve, shtëpitë e të cilëve u bënë të pabanueshme.