Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka përkujtuar Lidhjen e Pejës dhe heroin kombëtar, Isa Boletinin në 107-vjetorin e rënies së tij.
I pari i AAK-së ka thënë se Lidhja e Pejës është njëra prej etapave më të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe se Isa Boletini identifikoi fatin e tij personal me fatin e atdheut, besnikërinë dhe dashurinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.
“Lidhja e Pejës e formuar më 1899 në krye me Haxhi Zekën, pas shumë vendimeve të rëndësishme që të forconte unitetin kombëtar në përpjekjet për të kundërshtuar copëtimin e tokave shqiptare, shpalli edhe Besën për një vit”.
Sipas Haradinajt, ky akt i Besëlidhjes mëson se shqiptarët janë patriotë, të aftë që të dalin përtej interesave dhe inateve personale kur është në pyetje interesi i atdheut.
Ndër të tjera, siç është shprehur Haradinaj, mbrojtësi i pavarësisë e komandant çetash, Isa Boletini nuk është vetëm prijës popullor, por edhe frymëzues për të dashur e vlerësuar lirinë dhe atdheun.
Ndryshe, Isa Boletini, më 23 janar të vitit 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre luftëtarë të tjerë.