Në protestën e organizuar nga fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’i kundërshtuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që i kishte bërë në pesëvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ka marrë pjesë edhe Tefik Sejdiu.
Sejdiut dyshohet se i janë vrarë tre anëtarë të familjes nga politikani serb, Oliver Ivanoviq, në masakrën në Mitrovicë më 14 prill.
Për këtë, Sejdiu në fjalën e tij të shkurtër tha se kryeministri Kurti duhet të kërkojë falje për deklaratën e tij të lëshuar për Ivanoviqin.
“Unë jam dëshmitar kryesor kundër Ivanoviqit që e ke shpallur hero, marre duhet të të vijë, kryeministër kërko falje, turp të kesh, marre për ty kryeministër”, tha Sejdiu.
Kurti, nuk e kishte përmendur faktin se Ivanoviq ishte dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, por vetëm kishte thurur lavde për ish-politikanin serb.
Protesta po mbahet para Qeverisë së Kosovës, në pankartat që po mbajnë në duar protestuesit shkruhet “Kryeministër, mos na shkel në gjak, stop devijimit të historisë”, “Ivanoviqi vrau shqiptarë mos e amnisto”, “Kryeministër mos i glorifiko kriminelët”, “Kryeministër kurrë si dhe asgjë Kosovës, dorëhiqu”, “Me gjak e atdhe nuk bëjmë kompromis” e shumë të tjera.
“Ivanoviqi vrau shqiptarë” – nis protesta kundër deklaratës së Kurtit