“Qeveria polake do të dërgojë tanke luftarake Leopard 2 në Ukrainë, nëse ajo arrin të ndërtojë të paktën… një ‘koalicion të vogël shtetesh’ të cilët do të bëjnë të njëjtën gjë”.
Kështu ka thënë kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki.
“Nëse ai ‘kusht’ plotësohet, Polonia do të ishte e gatshme të transferonte tanket e prodhimit gjerman me ose pa miratimin e Berlinit”, ka thënë tutje Morawiecki.
Çdo transferim i tankeve Leopard 2 zakonisht kërkon leje nga Gjermania, shkruan CNN.
“Ne do të aplikojmë për një pëlqim të tillë, por kjo është një temë dytësore,” ka thënë Morawiecki.
“Edhe nëse nuk e marrim këtë pëlqim në fund, si pjesë e një koalicioni të vogël, edhe nëse gjermanët nuk do të jenë në këtë koalicion – ne përsëri do t’i dorëzojmë tanket tona, së bashku me të tjerët, në Ukrainë”, ka shtuar ai.
Ndër të tjera, ai ka theksuar se kushti për momentin është ndërtimi i të paktën një “koalicioni kaq të vogël shtetesh dhe për këtë çështje… po kontaktojmë me partnerët tanë në Evropën Perëndimore”.
Thirrjet e përsëritura të Ukrainës për më shumë tanke kanë qenë objekt i bisedimeve diplomatike të nivelit të lartë në javët e fundit dhe Gjermania deri më tani i ka rezistuar presionit në rritje për të autorizuar një transferim tankesh.