Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në takimin me “pesëshen” ndërkombëtare të premten i është thënë se duhet ta pranojë Serbia propozimin e tyre, sepse në të kundërtën do të ndërpritet procesi i integrimeve evropiane
Ai shtoi se i është thënë se Serbia do të përballet me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve, do të jetë nën një ndërprerje të integrimeve evropiane dhe se masa e tretë do të jetë e përgjithshme ekonomike që do të ketë pasoja për Serbinë.
“Ka ardhur “Pesëshja perëndimore”, në fjalinë e dytë që më është komunikuar thuhej – duhet ta pranoni këtë plan (francezo-gjerman) dhe nëse nuk e pranoni, do të përballeni me pasojat”, ka thënë Vuçiq në një konferencë drejtuar popullit serb.
Vuçiq bëri të ditur se dënimet që do t’i marr Serbia, nëse nuk e pranon këtë plan, i janë përsëritur disa herë gjatë takimit.
“Do të përballeni nën një ndërprerje të procesit të integrimit evropian, nën dy do të përballeni me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve, nën tre masa gjithëpërfshirëse në kuptimin politik dhe ekonomik që do ta dëmtojnë Serbinë. Kjo më është përsëritur edhe tri herë gjatë bisedës dhe çdo herë kam reaguar ashpër ndaj kësaj”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë gjithashtu se beson se një konflikt i ngrirë është zgjidhja më e keqe dhe se duhet të kërkojnë një kompromis.