Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka bërë të ditur se planifikon 41 milionë e 67 mijë euro për ngritjen e shërbimeve shëndetësore.
Në një takim, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i shoqëruar nga zv.ministrja Dafina Gexha, zv.ministri Arsim Berisha dhe sekretari i përgjithshëm, Naim Bardiqi ka marrë pjesë në punëtorinë e organizuar nga grupi punues kyç për hartimin e Planit Strategjik për zbatimin e fizibilitetit dhe raportit shtesë për studimin “Ngritja e infrastrukturës dhe pajisjeve për kujdesin dytësor dhe tretësor”.
Ministri Vitia ka theksuar urgjencën e përmirësimit të shërbimeve shëndetësore si një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë Kurti.
Vitia ka thënë se është hera e parë që ka një plan të tillë strategjik për ngritjen e infrastrukturës dhe pajisjeve për kujdesin dytësor dhe tretësor.
“E dimë që janë probleme sistemike, por nga stafi shëndetësor nuk mund të kërkojmë maksimumin kur mungojnë parakushtet për të ofruar shërbime sa më cilësore për qytetarët tanë që është edhe objektivi kryesor. Pasi shëndetësia është një prej prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, gjë që dëshmohet edhe me rritjen e buxhetit që është më i larti deri më tani, si dhe me donatorët tanë të cilët kanë shprehur gatishmërinë, ky plan sado ambicioz, do të jetë i realizueshëm”, ka thënë ministri Vitia.
Ai është shprehur se të gjithë duhet të bëjnë maksimumin që të ngrenë nivelin e shërbimeve shëndetësore, duke vënë veten para një përgjegjësie të jashtëzakonshme për mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve.
Sipas tij, kjo arrihet vetëm duke i diskutuar problemet, nevojat dhe kërkesat, e jo duke i fshehur ato.
Po ashtu, ndër të tjera, bëhet e ditur se grupi punues në Planin e veprimit ka përcaktuar propozimet e dala nga studimi, me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore në një periudhë afatshkurtër.
“Disa nga objektivat e grupit punues janë riorganizimi i shërbimeve shëndetësore sekondare dhe terciare në spitalet e përgjithshme, adaptimi i numrit të shtretërve spitalorë nevojave të shërbimeve spitalore për pacientë, modalitetet e financimit dhe sigurimit të pajisjeve të domosdoshme mjekësore, pagesa sipas performancës të profesionistëve shëndetësorë, janë disa nga objektivat e përfshira në Planin Strategjik të përpiluar nga përfaqësuesit e MSh, SHSKUK, spitaleve të përgjithshme dhe përfaqësues të tjerë të sektorit të shëndetësisë”.
Ky aktivitet bazohet në studimin e fizibilitetit në kuadër të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF) që është realizuar në vitin 2022, por meqenëse gjatë periudhës 2018-2022 janë siguruar pajisje, Ministria në vitin 2022 ka bërë rivlerësimin e studimit të parë që synon sigurimin e pajisjeve për nivelin dytësor dhe tretësor.
Ky studim është miratuar nga Mekanizmat e Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor dhe pritet hartimi i planit të veprimit.